14:57 - 14 Tetor 2021

Ulja e ndjeshme e temperaturave solli reshjet e para të borës në zonat malore të Maqedonisë Veriore.

Reshjet nisën që mbrëmë ndërsa trashësia e borës në Kodrën e Diellit, në Mavrovë dhe Strazhë, ka arritur në afër 15 centimetra. Reshjet e borës vazhdojnë, rrugët janë të kalueshme, por me vështirësi në disa vende.

Situata është ndryshe në pjesën e Strazhës. Atje ka ndalesë për qarkullimin e automjeteve të rënda. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftojnë se vështirësi kalimi ka edhe në rrugën nga Kriva Pallanka në gjatësi prej 3 – 5 kilometra, në afërsi të kalimit kufitar “Deve Bair”.

Ndërkohë përgjegjësit për rrugë magjistrale tashmë kanë marrë aksion për pastrimin e rrugëve në pikat kritike të paralajmëruara në viset më të larta të vendit. Nga kjo Qendër, apelojnë shoferët që të bëjnë kujdes dhe t’iu përmbahen rregullave të komunikacionit pasi reshjet e shiut dhe të borës vazhdojnë në disa zona.

Nga Instituti Hidrometeorologjik paralajmërojnë se reshjet e shiut në viset e ulëta dhe reshjet e borës në zonat malore do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim dhe do jenë të përcjella me erëra të ftohta. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 10 gradë Celsius.