Trajneri i Manchester Cityt Pep Guardiola është duke ëndërruar që ta dërgojë skuadrën e tij drejt finales së Ligës së Kampionëve, pas fitores tejet të rëndësishme mbrëmë kundër Paris Saint-Germain.
Në formatin momental të Ligës së Kampionëve, i cili është inkuadruar nga sezoni 2003/04, City u bë skuadra e parë angleze që ka fituar 10 ndeshje e më shumë në një kampionat të vetëm.
City, që është shumë pranë që ta siguroj titullin e Premier Ligës, nuk e ka prekur kurrë finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.
“Se çfarë kemi bërë ne është e mrekullueshme, luajtëm shumë mirë. Në disa faza të ndryshme, nuk mund të luash për 90’ minuta në mënyrë perfekte”, tha Guardiola.
“Sigurisht që është një ëndërr që të arrijmë në finale për herë të parë, dhe do ta bëjmë atë gjë, duke e ditur që mund të bëjmë gjëra që i kemi bërë kundër PSG për 55-60 minuta. Duhet të jemi më të kujdesshëm, të mendojmë për rezultatin që kemi në dorë, të jemi të vëmendshëm dhe të mbrohemi, dhe vetëm të mendojmë se si ta fitojmë ndeshjen”, shtoi trajneri spanjoll.
Javën e ardhshme do të zhvillohet ndeshja e kthimit mes Manchester Cityt e Paris Saint-Germain, ku skuadra e Guardiolas do të jetë vendas në stadiumin “Etihad” kundër kampionit francez.