17:02 - 14 Qershor 2021

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se Kosova duhet të forcojë sigurinë, në mënyrë që Serbia të mos guxojë të mendojë që ta sulmojë.

Ai këto komente i bëri me rastin e zbulimit të shtatoreve të dëshmorëve të kombit Bedrush Gashi dhe Feim Gashi në Drenoc, në Ditën e Çlirimit të komunës së Rahovecit.

Duke folur për jetën dhe veprën e dëshmorëve të kombit, Haradinaj tha se populli i Kosovës është në tokën e vet falë heronjve të cilët sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e atdheut. Ndërsa duke thënë se ka ende njerëz që nuk përulen para luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haradinaj theksoi se nuk mund të ketë integrim pa njohjen e së vërtetës dhe vetes.

“Djemtë si Bedrushi e Feimi, e familjet e tjera shqiptare që kanë dhënë luftëtarë e heronj të zot deri në vetëflijim, ata na kanë mundësuar pas mijëra vjetësh me qenë vetvetja…. Sot jemi në tokën tonë, në Kosovën tonë, Kosovën e popullit të vet, falë këtyre heronjve që i nderojmë sot. Kush përton të shprehë respekt, të përulet para UÇK-së, nuk ka memorie, nuk e di kush është. Kush nuk e kupton rëndësinë historike të UÇK-së nuk është i vetëdijshëm për dëmin që ia bën vetes… Ka të tillë edhe sot që thonë ‘nuk ka rëndësi që jemi shqiptarë e që jemi çliruar nga UÇK-ja, ka rëndësi që jemi të integruar’… Kosova së pari duhet të jetë shtet i qëndrueshëm, i fortë, duhet me qenë aq e fortë sa mos të guxojë Serbia të mendojë për të sulmuar Kosovën… Pa ushtri të fortë vështirë do ta kemi të sigurt se prapë nuk do të na kthehen ëndrrat e së kaluarës”, tha ai.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se rrugëtimi drejt çlirimit nuk ishte i lehtë dhe se ende vazhdon, pasi plagët janë ende të hapura. Ai tha se Bedrush e Feim Gashi e mbollën farën e lirisë me gjakun e tyre, teksa shtoi se pasardhësit e kanë obligim që ta kultivojnë këtë bimë, që të vazhdojë të japë fryte të ëmbla për shumë e shumë mote. Ai tha se së shpejti do të bëhet edhe zyrtarizimi i odës muze të Avdi Gashit.

“Bedrushi e Feimi e mbollën farën e lirisë, e ujitën me gjakun e tyre, ndërsa pasardhësit e kanë obligim që ta kultivojnë këtë bimë që të vazhdojë të japë fryte të ëmbla për shumë e shumë mote… Populli i Drenocit me rrethinë duhet ta kenë për nder që sot në mesin e tyre po vijnë, e do të qëndrojnë gjatë mbi këta shkëmbinj me rrënjë të thella në tokë, bijtë e bacës Avdi Sherif Gashi. Ata të ngjallin nderim e respekt dhe admirim bashkë. Të pavdekshëm siç janë, do të qëndrojnë këtu e do të përcjellin fëmijët teksa rriten, bujqit teksa punojnë, arat e vreshtat, mësuesit tek edukojnë fëmijët dhe shokët e tyre të armëve që i ruajnë e i mbrojnë këto statuja si vlerën më të çmuar të historisë dhe të luftës tonë çlirimtare”, tha ai.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se manifestimi i sotëm do të ishte edhe më i plotë nëse do të ishin prezent edhe ish-udhëheqësit e luftës çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Hagë. Ai kërkoi unitet në mbrojtjen e luftës dhe vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot më mirë se të gjithë ne, flasin shtatoret e dy heronjve dhe më mirë se të gjithë ne do të gjykojnë gjithë padrejtësitë që po i bëhen luftës së UÇK-së, që nga përfundimi i saj e deri sot. Besoj se më i plotë ky manifestim do të ishte sikur të kishim prezent bartësit dhe udhëheqësit e luftës në Kosovë të cilët sot po mbahen padrejtësisht në Hagë. Prandaj, do të shtoj mesazhin që ne të jemi unikë në mbrojtjen e gjithë vlerave, të gjithë luftërave dhe në veçanti të luftës së UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj”, u shpreh ai.

Para të pranishmëve foli edhe djali i dëshmorit Bedrush Gashi, Seprandi, i cili tha se ndjehen krenar për jetën dhe veprën e të atit.