14:29 - 24 Shtator 2020

Misri është një ushqim i vlefshëm sezonal që nuk do t’ju ngarkojë me kalori të tepërta, dhe do t’ju sigurojë karbohidrate dhe energji të disponueshme shpejt, aminoacide, vitamina dhe minerale, përfshirë vitaminën, B1, B5, acidin folik, niacinën, fosforin, kaliumin dhe magnezin!

Besohet se ka origjinën në Meksikë ose Amerikën Qendrore dhe është një ushqim sezonal i konsumuar nga civilizimet më të hershme që banonin në ato zona.

Provat e përgatitjes së enëve të misrit shkojnë shumë larg, që prej 7,000 vjet më parë. Misri është një ushqim me vlera ushqyese që nuk e ngarkon trupin me kalori të tepërta, pasi në një kalli me madhësi mesatare përmban 80 deri në 100 kcal.

Misri i freskët dhe i ëmbël, është i pasur me karbohidrate dhe me pak yndyrë dhe për këtë arsye është një burim energjie i disponueshëm shpejt. Yndyrat që mbizotërojnë në misër janë shumë të pangopura dhe mono të pangopura.

Bërthama e misrit përbëhet nga lëvorja, endosperma dhe embrioni. Qelizat e lëvozhgës përmbajnë pigmente që përcaktojnë ngjyrën e misrit, e cila ndryshon nga e zeza në të verdhë në plotësisht të bardhë. Misri i bardhë nuk përmban beta karotinë, ndërsa e verdha e përmban atë dhe kështu kontribuon në plotësimin e nevojave për vitaminë A.

Misrit i mungojnë dy aminoacide thelbësore, lizina dhe triptofani. Prandaj është mirë ta kombinoni në dietë me bishtajore, pasi në këtë mënyrë plotësohen më së miri nevojat për proteina.

Një dietë e pasur me fibra dietike është treguar jashtëzakonisht efektive në uljen e niveleve të ngritura të kolesterolit dhe parandalimin e kancerit të zorrës së trashë.

Lloji i fibrave dietike që gjenden në misër ka një efekt të dobishëm në nivelet e sheqerit në gjak, kështu që misri është një burim i mirë energjie për njerëzit me rezistencë ndaj insulinës dhe për diabetikët.

Dihet prej kohësh që ushqimet me shumë niseshte, të tilla si orizi, patatet, misri dhe gruri, ndihmojnë në tretjen e ushqimit, veçanërisht në diarre, transmeton KosovaPress. Studimet e fundit shkencore kanë konfirmuar kushtet nga koha e gjysheve tona.

Misri përmban një lloj të veçantë të fibrave me aktivitet prebiotik të quajtur izomalto-oligosakaride. Një studim i ri i botuar disa muaj më parë në revistën shkencore Nutrition zbuloi se kjo lloj fibra mund të përmirësojë funksionimin e zorrëve te të moshuarit që kanë probleme me kapsllëk.

Përveç që provohet se ndikon kundër kapsllëkut, misri dhe produktet e tij janë ushqime ideale për lehtësimin e diarresë, pasi ndikojnë në normalizimin e tretjes.

Përveç që ka një efekt të dobishëm në problemet në pjesën e poshtme të sistemit të tretjes, misri mund të jetë i dobishëm edhe për problemet në pjesën e sipërme të sistemit të tretjes, më saktësisht për problemet e stomakut.

Një hulumtim ka treguar se misri në sasi të vogla mund të neutralizojë acidin e stomakut, andaj rekomandohet për njerëzit që vuajnë nga gastriti dhe sëmundja e ulcerës.

Misri, si një ushqim i pasur me antioksidues, acid folik, frenues të proteazës dhe shumë kimikate fitokimike, mund të konsiderohet luftëtar kundër kancerit dhe viruseve, dhe për këtë arsye duhet të zërë vendin në menynë e njeriut modern.