19:21 - 16 Nëntor 2020

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna i është bashkuar partisë së Albin Kurtit, Vetëvendosjes.

Në vitin 1999 Sokol Dobruna, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Ushtarake e kishte dënuar Blerim Kuçin, tanimë ministrin e Zhvillimit Ekonomik me vdekje.

Në atëkohë Kuçi ishte komandant brigade. Dobruna kishte deklaruar se vendimi me pushkatim ndaj Kuçit erdhi si pasojë e dezertimit të tij, e që për pasojë ka pasur sipas tij shpërbërjen e një brigade të tërë të UÇK-së.

Vendimi me pushkatim nuk u ekzekutua për shkak se ligjet e luftës asokohe nuk lejonin një gjë të tillë.

“…Unë personalisht e kam dënuar njeriun me pushkatim, Blerim Kuçin. Bile, unë e kam thirr prindin me pa për herë të fundit. Edhe baba edhe nëna kanë qenë”, pati thënë Dobruna në njërin prej deklarimeve të tij, duke shtuar se i është referuar ligjeve të ish-Jugosllavisë.

Lajmi për aderimin e Dobrunës në Vetëvendosje e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook.

Kurti është shprehur se Sokol Dobruna është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në vitin 1961 ishte student në Zagreb, mirëpo u detyrua t’i ndërpresë studimet atje e t’i përfundojë në Fakultetin Juridik në Prishtinë, për shkak se familja e tij konsiderohej politikisht e papërshtatshme në ish Jugosllavi. Baca Sokol është ish-i burgosur politik dhe veprimtar i kahmotshëm i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në lëvizje e organizata të ndryshme legale e ilegale të kohës. Në dimrin e ashpër 1998/1999, jemi takuar në Shtab të Përgjithshëm në malet e Berishës kur Adem Demaçi përfaqësonte dhe mbronte UÇK-në duke udhëhequr zyrën e saj në Prishtinë.

Gjatë luftës, Baca Sokol asnjë ditë të vetme nuk ka qenë jashtë Kosovës dhe e ka ecur në këmbë Kosovën nga Shala e Bajgora deri në Vrri të Prizrenit. Me tetë dekadat e jetës së tij ai është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm.