×
  • Lajme
  • Insajderi

    ​Bislimi: Ideja për arkiva të UÇK-së është artificiale, nuk e përjashtojmë mundësinë që Serbia t’i ketë shkatërruar arkivat

    Insajderi
    21 September 2021 - 19:14

    Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi e ka quajtur artificiale dhe të ngritur nga Serbia idenë për arkiva të UÇK-së. I dyti në ekzekutivin Kurti, e konsideron vendimtare hapjen e arkivave serbe për gjetjen e personave të zhdukur me forcë, ani pse nuk e përjashton mundësinë që shteti fqinj t’i ketë shkatërruar gjitha të dhënat dhe informacionet për varrezat masive.

    Duke raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Bislimi bëri të ditur se gjatë kësaj jave mund të vijnë në Kosovë shtatë trupat e identifikuar pas gërmimeve në Kizhevak të Serbisë.

    “Procesi i të pagjeturve një kohë të gjatë është udhëhequr nga UNMIKU dhe EULEX, ata kanë pasur qasje të plotë në këto arkiva. Ka raste që hetuesit e tyre për 24 orë nuk kanë dal nga arkivat dhe kanë larguar të gjitha punonjësit. S’ka dokument që nuk është shoshitur nga ndërkombëtarët dhe me sa di unë nuk ka asnjë dokument të klasifikuara si sekrete. Në anën tonë nuk ka asgjë që mund të dërgonte në informata për persona të zhdukur. Mendoj që kërkesa e Serbisë që të hapen paralelisht këto dyja ka qenë për të krijuar një barazi. Të thotë ne kemi bërë krime po i fshehim, por edhe ju po i fshihni krimet e juaja. E kemi pa si shumë të rëndësishme që ky argument të hiqet palës serbe. Të thuhet se në njërën anë nuk ka asgjë dhe të thuhet se të vetmet arkiva që duhen të hapen janë arkivat shtetërore të Serbisë. Po e përsëris në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk është folur dhe dakorduar për arkivat e UÇK-së, për të cilat nuk ka asnjë evidencë që eksitojnë… Ideja e Serbisë të thuhet se dy apelit po fshehin dhe meqenëse pala kosovare nuk po i hap nuk po i hapin edhe ne. Është dashur ta thyejmë këtë mit dhe të themi se ka vetëm një palë që fsheh informata, pala tjetër i ka të gjitha arkivat e hapura. Ideja për arkiva të UÇK-së në Kosovë është ide artificiale e ngritur nga Serbia për të justifikuar mbajtjen e informacioneve sekret të tyre”, theksoi ai.

    Megjithatë, Bislimi shpreson se me hapjen e arkivave shtetërore të Serbisë do të gjenden informatat që saktësojnë vendndodhjen e varrezave masive.

    “Ne besojmë dhe shpresojmë që aty do të gjenden informatat që saktësojnë vendndodhjen e varrezave masive. Janë edhe 1632 persona të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre besohet se janë në territorin e Serbisë. Meqenëse gjithçka ka qenë e organizuar nga logjistika ushtarake dhe policore Serbe është e pritur që të njëjtat informacione të jenë të arkivuara në arkivat shtetërore serbe. Nuk e përjashtojë mundësinë që Serbia ndërkohë t’i ketë shkatërruar këto arkiva. Por mendoj se për hetuesit ndërkombëtar është lehtë të evidentohen shkatërrime të tilla dhe të ndërtohen linjat me informatat anësore. Por, për neve është me rendësi që mos të ketë pengesa zyrtare. Por për aq kohë sa Serbia insiston që arkivat e saja të mbetet të mbyllura, ne kemi të drejtë dhe arsye të dyshojmë se aty ka informata të vlefshme”, tha ai.

    Deputetëve, zëvendëskryeministri iu tregoi edhe për ecurinë e gjetjes së trupave në Kizhevak të Serbisë

    “Pala serbe ka njoftuar se Instituti i mjekësisë ligjore në Beograd ka arritur të identifikojë shtatë trupa. Njëkohësisht unë kam arrë informacion se në murgun e Prishtinës janë identifikuar dy trupa të qytetarëve serb. Kemi kërkuar të gjejmë modalitete për këmbimin e këtyre trupave. Pala serbe ka pasur rezerva pasi ka menduar që në ceremoninë e këmbimi duhet të jetë prezentë zotëri Odalloviq, për çka ne kemi kundërshtuar dhe kemi thënë se kjo së pari nuk është ceremoni, por për neve është me rëndësi që familjet t’i marrin trupat e familjarëve të tyre. Rrjedhimisht s’ka nevojë për prezencën e askujt, kemi mbetur me dakordim që zotëri Petokoviq të marrë aprovimin e eprorëve të tij sa më shpejtë. Ne besojmë se kjo mund të ndodh këtë javë”, deklaroi Bislimi.

    Për kundërshtimin e Velko Odalloviqit në takimet e delegacioneve, Bislimi tha se BE-së iu është dukur si risi, pasi më herët nga Kosova nuk kanë pasur këso shqetësime. Megjithatë, shtoi se nga ndërmjetësuesi i dialogut iu është thënë se është e vështirë të largohet nga delegacioni serb Odalloviq, pasi çështja është bërë publike.

    “Deri në momentin kur ne e kemi ngrit problemin e përfaqësimit të palës serbe nga zotëri Odalloviq ka pas shumë pak informacione nga vet BE-ja për të kaluarën e tij. Psh zotëri Lajçak as nuk ka qenë i informuar se Odalloviq ka qenë në listën e të ndaluarave të BE-së për të hyrë në BE. Nuk ka qenë i informuar për funksionin që e ka bërë ai në Kosovë gjatë viteve 1997-1999 dhe as për hetimet që janë bërë ndaj ti për përfshirje eventuale të tij në krime. Të gjitha këto kanë qenë risi, argumenti i tij ka qenë pse nuk janë ngritur më herët këto shqetësime nga pala kosovare, por tash përnjëherë u bë problem argumenti që na është thënë është që pak vështirë të largohet, pasi çështja është bërë publike, sikur mos ishte bërë dhe kërkesa të kishte shkuar vetëm brenda, atëherë do të kishte qenë më e lehtë. Por prapë argumenti është jo valid pasi vet presidenti serb e ka bërë publike këtë kërkesë”, theksoi ai.

    Në këtë raportim të zëvendëskryeministri Bislimi aktiv në pyetje ishin edhe anëtarët e Komisionit, ndër ta, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi pyeti Bislimin se kur e kanë në plan të diskutojnë me palën serbe për viktimat e dhunës seksuale.

    “Në dijen time nuk është folur asnjëherë në bisedat me Serbinë për viktimat e dhunës seksuale. A keni ju plan që në këto biseda të jemi edhe ne në tavolinat e bisedimeve dhe të kërkojmë drejtësi që Serbia t’i kthej kriminelët në Kosovë për t’u dënuar”, pyeti ajo.

    E njëjta, sipas zëvendëskryeministrit do të diskutohet në kuadër të marrëveshjes finale.

    Bislimi: Nuk mund të ketë marrëveshje të përgjithshme pa e trajtuar temën e viktimave të dhunës seksuale.

    “Nuk e kemi trajtuar, pasi mendojmë se kjo është pjesë e asaj kornize të cilën duhet të dakordohemi se nuk mund të ketë marrëveshje të përgjithshme pa e trajtuar edhe këtë temë”, u përgjigj Bislimi.

    Në fillimin e muajit shtator, përgjatë dy ditëve, delegacioni kosovar, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Bislimi ka diskutuar në Bruksel me palën serbe për personat e zhdukur me forcë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark