×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Pa rishikim të buxhetit, punëtorët s’do t’i marrin nga 170 euro

    Insajderi
    08 June 2020 - 13:23

    Asnjë masë e Pakos Emergjente Fiskale nuk do të zbatohet pa u rishikuar buxheti i këtij viti në Kuvendin e Kosovës. Po kështu edhe masa ‘3a’ e kësaj pakoje për punëtorët e sektorit privat që janë punonjës të bizneseve të prekura nga pandemia, nuk do të mund t’i marrin pagat nga 170 euro për muajin maj pa u rishikuar ky buxhet.

    Kështu ka thënë për KosovaPress këshilltari i ministres së Financave, Lulëzim Krasniqi, i cili beson se më së largu deri në fillim të javës së ardhshme, Qeveria do ta procedojë në Kuvend ligjin për rishikim të buxhetit.

    Për shkak të mos rialokimit të mjeteve, Krasniqi theksoi se pa u rishikuar buxheti, edhe një pjesë tjetër e punëtorëve që nuk kanë arritur t’i marrin pagat as për majin prill nga 170 euro nuk do të mund t’i kenë në kontot e tyre.

    “Ekzekutimi për aq sa ka pasur fonde në dispozicion janë ekzekutuar nga 170 euro. Pjesa tjetër pritet tash pas rishikimit të buxhetit. Në momentin që ndodhë rishikimi i buxhetit, ndahen fondet për mbulim të Pakos emergjente dhe do të vazhdojë menjëherë ekzekutimi i pagave të tjera”, thotë Krasniqi.

    Këshilltari i ministres Hykmete Bajrami theksoi po ashtu se mjete (para) ka, por nuk ka në dispozicion të caktuar prej nga munden të paguhen, andaj, sipas tij, duhet me u rregulluar ligjërisht.

    “Rishikimi i buxhetit mundëson që mjetet e nevojshme të sigurohen në linjat e duhura buxhetore. Qarkorja buxhetore iu ka shkuar të gjitha institucioneve buxhetore për t’i bërë rregullimet, ka nevojë të bëhen rregullime për shkak të shpenzimeve në nivelin komunal. Brenda kësaj jave i marrim kërkesat. Përgatitjet e rishikimit besoj që në këtë javë, më së largu deri në fillim të javës së ardhshme, në qeveri përfundojnë përgatitjet dhe vazhdon varësisht prej agjendës në Kuvend të Kosovës. Nuk ka asnjë arsye që të vonohet rishikimi në Kuvend”, tha Krasniqi.

    Ai po ashtu thotë se nuk bëhet fjalë vetëm për punëtorët e sektorit privat, por për të gjitha masat e pakos emergjente fiskale, që bëjnë pjesë edhe ato për biznese dhe çështje sociale.

    Komuniteti i bizneset në vazhdimësi është duke kërkuar që të zbatohet pako emergjente që t’u dilet në ndihmë punonjësve dhe bizneseve.

    Ndryshe, sipas drejtorit të ATK-së, i cili ka deklaruar javën e kaluar, se nga 193 mijë aplikues me të drejtë page, vetëm nga një pagë (prill) i kanë marrë 171 mijë prej tyre.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark