×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    ​Puna e Anton Çettës vjen në një komplet librash

    Insajderi
    26 November 2020 - 15:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Veprimtaria e profesor Anton Çetta tashmë është mbledhur dhe botuar në një tërësi vëllimesh, kompleti i të cilave është përuruar sot në kuadër të muajit nëntor, që është shpallur muaji i Anton Çettës.

    Veprimtari që njihet më së shumti për fushën e pajtimit në mes të njerëzve, u vlerësua si një prej personaliteteve më të mëdha që ka historia e Kosovës.

    Kryeministri Avdullah Hoti tha se Anton Çetta është personalitet emri i të cilit identifikon epokat.

    “Në veçanti, në ngjarjen e pajtimit të gjaqeve që ndërroi komplet historinë shqiptare, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërrimin e epokave, ndërrimin e kulturës, jetës, organizimit shoqëror të shqiptarëve, në fushën e tij, bashkë me veprimtarinë në Institutin Albanologjik, në ditët e para me presidentin Rugova, ai në fushën e politikës e ky në fushën e pajtimit të gjaqeve, kanë bërë historinë moderne të Kosovës”, tha ai.

    E ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi tha se po sjellin në vëmendjen e secilit një pjesë të kontributit të çmuar të veprimtarit Anton Çetta.

    “Të gjithë pajtohemi se për të shënuar aktivitetet dhe rikujtuar figurën e profesor Anton Çettës nuk mjafton, por jemi angazhuar që të sjellim në vëmendjen tonë një pjesë të kontributit të tij të çmuar. Sot promovojmë një pjesë të konsiderueshme të veprave të profesor Anton Çettës e që është bërë e mundur falë angazhimit të punuesve të Institutit Albanologjik, bashkëpunëtorëve dhe mbështetur nga Ministria e Arsimit e Shkencës. Botimi i veprave në vazhdimësi dëshmon për angazhimin serioz të profesorit në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe jashtë saj”, tha ajo.

    Dumoshi bëri të ditur se deri më 24 dhjetor do të jetë publik konkursi për t’u nominuar për çmimin “Anton Çetta”, i cili për herë të parë do të ndahet më 3 janar 2020, në përvjetorin e lindjes së tij.

    Kompleti i librave të Anton Çettës u bë nga Instituti Albanologjik, në bashkëpunim me familjen e profesorit dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës.

    Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik tha se e gjithë puna e Anton Çettës tashmë është e bashkuar në një tërësi vëllimesh.

    “Me punën e tij shumëdimensionale prej shkencëtari e veprimtari me kohë u shndërrua në një vlerë të përgjithshme e të njohur gjithandej hapësirës sonë kombëtare dhe veçmas në rolin që pati në lëvizjen e pajtimit. Profesor Anton Çetta i fliste të ardhmes përmes së kaluarës sonë, në këtë format botimi, si një vepër komplete do t’i flasë përjetësisht dijës shqiptare dhe opinionit tonë të gjerë si një tërësi unike , tha ai.

    Ndërsa e bija e Anton Çettës, Donika Çetta tha se sivjet po e përjetojnë një nëntor ndryshe.

    “Ky muaj i dhembjes dhe pikëllimit për familjen tonë erdhi më ndryshe. Momente të veçanta në jetën tonë i bëjnë të bukura njerëzit që i ndajnë me ne. Ky muaj, duke iu falënderuar Qeverisë, kryeministrit Hoti, me iniciativën e ministres Vlora Dumoshi u kurorëzua muaji i Anton Çettës, duke lartësuar figurën e tij me aktivitete që jetësojnë veprimtarinë e tij shkencore dhe humane”, tha ajo.

    Në kuadër të muajit të Anton Çettës, në hapësira e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dje është hapur edhe një ekspozitë me fotografitë e tij.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark