×
  • Lajme
  • Insajderi

    Osmani merr vendim për djalin e Haxhi Shalës që u emërua konsull në Pragë

    Insajderi
    25 November 2020 - 19:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ushtruesja e Detyrës së postit të presidentit, Vjosa Osmani ka shkarkuar, Flakron Shalën, djalin e deputetit të Haxhi Shalës nga posti i konsullit të përgjithshëm në Pragë.

    Përveç, Shalës, Osmani ka shkarkuar edhe tre konsuj tjerë, një në Lubjanë, Shkup dhe Tiranë, raporton Gazeta Insajderi.

    “Në përputhje me përgjegjësitë e saj kushtetuese si dhe bazuar në praktikat diplomatike e konsullore, u.d. Presidentja, dr. Vjosa Osmani-Sadriu sot ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm, konkretisht për konsujt e përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

    Video:

    Osmani në këtë njoftim ka treguar arsyeje e shkarkimit të këtyre konsujve.

    “Sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”, thuhet në njoftim.

    Tutje në këtë njoftim thuhet se “Si udhëheqëse e politikës së jashtme, u.d. Presidentja është e përkushtuar që të mbrojë ligjshmërinë dhe profesionalizmin përgjatë emërimeve në shërbimin e jashtëm. Ajo do të vazhdojë të insistojë, që të mos tejkalohet kuota e emërimeve politike, e paraparë me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe që emërimet të bëhen nga radhët e diplomatëve të karrierës”.

    Gjatë ditës së djeshme është zbardhur pazari i mesnatës së 3 qershorit mes presidentit Thaçi, kryetarit të Aleancës, Ramush Haradinaj dhe deputeti Haxhi Shala, pas të cilit ky i fundit ndryshoi qëndrim duke dhënë votën vendimtare për qeverinë Hoti.

    Shalës ia kishin shpërblyer djalin me një nga postet më të rëndësishme në diplomaci, nëpërmjet një procesi që është tentuar të mbahet fshehtë.

    Pa asnjë ditë përvojë pune në shërbimin e jashtëm, Flakron Shala është emëruar Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë, me seli në Pragë. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark