E përditshmja britanike “Sunday Times” ka hedhur “bombën” mbrëmjen e djeshme, pasi ka folur me një doktor britanik, i cili ka deklaruar se ka ndihmuar sportistë përreth botës që të bëjnë doping. Lojtarë të Premier League janë gjithashtu të përfshirë dhe në shkrimin e publikuar nga “Sunday Times” flitet për futbollistë të Arsenal, Chelsea, Leicester dhe Birmingham City.
Nuk është e qartë se për cilët lojtarë bëhet fjalë konkretisht, nëse këta lojtarë luajnë akoma apo nëse këto akuza janë të vërteta. Megjithatë, duke përmendur Arsenal, Chelsea dhe Leicester mund të thuhet se dëmi është shkaktuar tashmë dhe reputacioni i këtyre klubeve është njollosur. Skandalet e doping kanë tronditur shpesh botën e sportit, me Maria Sharapova që ka qenë “viktima” e fundit, dhe duket se lufta kundër përdorimit të substancave të palejuara po bëhet gjithmonë dhe më e vështirë. (Telesport.al)