23:03 - 07 Shkurt 2016

Java që lamë pas ka rezultuar mjaft e suksesshme për futbollistët e Kombëtares Shqiptare që duan të fitojnë vendin e tyre në kombëtare dhe ta bindin trajnerin De Biasi para fillimit të Kampionatit Evropian që zhvillohet në Francë këtë vit.

Lajmi më i mirë për trajnerin e kombëtares është fitimi i vendit të titullarit nga mbrojtësi Mërgim Mavraj, i cili ka lënë pas dëmtimet për tu rikthyer protagonist në Bundesligë. Tridhjetë vjeçari ka zhvilluar 90 minuta mjaft të mirë në barazimin e Kolnit në udhëtim ndaj Hamburgut, 1-1.

futboll2

Në Serinë A italiane i përhershmi Elseid Hysaj zhvilloi 90 minuta në fitoren e Napolit ndaj Carpit, 1-0 me golin e Gonzalo Higuanit. Napoli mbanë pozitën e parë në Serie A me 56 pikë, dy më shumë se Juventus.

Ndërkohë,  Ajeti nuk u paraqit për Frosinonen pasi ishte i lënduar. Berat Xhimshiti edhe një herë tjetër u desh ta shikojë ndeshjen e skuadrës së tij Atalantës nga pankina, njëjtë sikur gardiani i portës shqiptare Etrit Berisha i cili nuk u përzgjodh te luante para italianit Marchetti.

Lorik Cana u rikthye të luajë nga fillimi këtë javë me Nantesin pas disa javësh pa luajtur. Kapiteni zhvilloi 90 minuta në barazimin e skuadrës së tij ndaj Toulouses pa gola. Lenjani e shikoi takimin nga stoli.

Në Turqi sulmuesi i kombëtares Sokol Cikalleshi, shënoi 2 gola për në barazimin 3 me 3 të skuadrës së tij Basaksehir ndaj Bursasporit në udhëtim. Kavajasi u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë duke e shpëtuar ekipin e tij nga humbja. Basaksehir mbanë vendin e 3-të në tabelë me 34 pikë. Edhe Alban Meha luajti 89 minuta në barazimin e Konyasporit ndaj Galatasarayt në ‘Toto Arena’ të Stambollit.

futboll1

Në Zvicër Armando Sadiku “shpërthej” me dy gola në ndeshjen që skuadra e tij e re Vaduz e fitoi 5 me 2 ndaj Luganos së Frederik Veselit, i cili nuk u paraqit për shkak lëndimi. Në Super Ligën zvicerane këtë javë vazhdoi paraqitjet e mira dhe të plota edhe Taulant Xhaka me Baselin që mposhti Luzernin e Jahmir Hykës me rezultat 3-0, me çka e mbanë vendin e parë në elitën e futbollit zviceran.

Në po të njëjtën ligë Florian Kamberi i siguroi një pikë Grasshopperit në udhëtim te Young Boys Bern, pasi 20-vjeçari shënoi një gol spektakular ‘alla Ibrahimovic’ ndaj skuadrës së Florent Hadergjonajt që luajti po ashtu tërë ndeshjen.

futboll3

Në Serie B mesfushorët e kombëtares shqiptare Ledian Memushaj dhe Armando Vajushi zhvilluan nga 90 minuta për ekipet e tyre ndërsa portieri Strakosha qëndroi në bankë në barazimin e skuadrës së tij 2-2 ndaj Pescaras së Memushajt.

Gianni De Biasi ka deklaruar se vetëm lojtarët më në formë dhe ata që aktivizohen më shumë do ta marrin ftesën e italianit për ‘Euro 2016’.