×
  • Lajme
  • Insajderi

    Tri vaksina për të hyrë në kufi – Reagojnë ashpër studentët nga Lugina, këto masa na shkëpusin nga Kosova

    Insajderi
    25 January 2022 - 15:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qeveria e Kosovës pak ditë më parë ka miratuar masat e reja antiCovid, për parandalimin e infektimeve pas rritjes së numrit të rasteve, gjatë javëve të fundit në vendin tonë.

    Të kënaqur me masat nuk janë qytetarët ku disa nga ta ankohen për vendosjen e orës policore, kufizimin e orarit të gastronomisë dhe ndër to edhe për vendimin e kalimit në kufirin e Kosovës me 3 doza të vaksinës.

    Më të prekurit në këtë mes janë studentët nga Lugina e Preshevës, të cilët rrugën e tyre akademike e kanë në Kosovë, dhe kjo i pamundëson vajtje-ardhjen duke pasur parasysh që është edhe periudha e provimeve.

    Fatlind Azizi, student nga Presheva në një prononcim për Gazetën Insajderi tha se këto masa sipas tij janë të pamenduara mirë dhe po i prekin ata.

    “Ne si student nuk i mirëpresim vendimet e fundit të Qeverisë mbi masat e reja antiCovid, pasi në Kosovë studiojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës e trojeve të tjera dhe nëpërmjet këtij vendimi ju mohohet e drejta e hyrjes, së pari në kufi e pastaj zhvillimi i karrierës akademike, pra studimeve në Universitetet e Kosovës”, tha Fatlind Azizi, student i nivelit master në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës.

    Fatlind Azizi, U.d Kryetar në organizaten studentore “Paqja Studentore”. Student nga Lugina e Preshevës.

    Azizi i cili studion në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, tha se ai në Preshevë shkon çdo javë, pasi atje ka familjen edhe miqtë e tij. Mirëpo me masat e fundit që ka marrë qeveria atij kjo i është pamundësuar.

    “Fatkeqësisht ne ndihemi të diskriminuar sepse na mohohet e drejta e lëvizjes së lirë. Madje ka të tillë që Akoma pa e përfunduar fazën për vaksinën e dytë u kërkohet një vaksinë e tretë për kalim në kufi, kjo nuk i lejon ata t`i vazhdojnë studimet e sidomos në këtë periudhë as nuk mund të paraqiten për provime”, shtoi ai.

    Ai shtoi se kjo gjë ka ndikuar shumë keq, sidomos tek pjesa e studentëve dhe qytetarëve që janë të punësuar në Republikën e Kosovës. Madje masat e tilla ai i quan burokratike dhe vështirësim të jetës së studentëve larg familjes e shtëpisë.

    Mendim të njëjtë me Azizin ndan edhe Lirona Zuka e cila është koordinatore për Medvegjë nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.

    “Vendimi i Qeverise se Republikës se Kosovës për masat e parandalimit te Pandemisë Covid-19, mund të them që nuk është i mirëpritur nga qytetarët shqiptar te Medvegjës sepse shumica e banorëve shqiptar të Luginës nuk kanë arritur ende të marrin dozën e 3 te vaksinës ( e cila merret 6 muaj pas dozes se dytë)”, u shpreh për Insajderin Zuka

    Lirona Zuka, Koordinatore për Medvegjë nga
    Këshilli Kombëtar Shqiptar.

    Ndërkaq sa i përket testit PCR ajo tha se sipas saj shumica e qytetareve nuk i kanë mundësitë financiare, kurse sa i përket shqiptareve të Medvegjës të cilët edhe nëse duan të bëjë testin, për rezultatin e testit duhet te presin 48 ore, kurse testi është i vlefshëm vetëm 48h për të hyrë në Republikën e Kosovës, gjë që ju pamundëson hyrjen në Kosovë me test.

    “Kjo është edhe një veshtirësi shtese sidomos për shqiptaret e Luginës, të cilët janë në lëvizje të shpeshtë me Kosovën”, përfundoi ajo.

    Që testi PCR është i kushtueshëm dhe e pamundëson lëvizjen e shpeshtë në Kosovë për qytetarët  e Luginës së Preshevës e në veçanti studentët, e thotë edhe studentja në Universitetin e Prishtinës,  Egzona Hajrullahu.

    Egzona Hajrullahu, studente në fakultetin filozofik në Universitetin e Prishtinës, dega shkenca politike

    “Pothuajse të gjithë studentët janë të vaksinuar deri në dozën e dytë, dhe kërkesa që të lejohet hyrja vetëm me dozën 3 ka shkaktuar vështirësi në hyrjen e shtetit të Kosovës. Gjithashtu, dëshmia e PCR Testit është e kushtueshme për ta dhe është e pamundur të përballohet kostoja e saj në çdo 48h”, tha për Insajderin Hajrullahu.

    Ndër të tjera, aktivisti i organizimeve studentore në Unversitetin e Prishtinës, Fatlind Azizi tha se përderisa kjo nuk parashihet në asnjë vend, diçka e tille nuk duhet të ndodhë në Kosovë dhe se zgjidhja më e mirë është përmirësimi i këtij vendimi

    “Qeveria është mirë ta largoj këtë masë edhe nuk është as në OBSH-ja e cila nuk e ka bërë obligative protokollin shëndetësorë që t`i kenë 3 vaksina për të kaluar në kufi shtetëror, ata duhet ta përmirësojnë një masë, gabimi është njerëzorë nuk është punë inati këtu”, përfundoi Azizi

    Në anën tjetër Kryesuesja për Medvegjë, Lirona Zuka thotë se shpreson që të lehtësohen  masat dhe te kete lehtësim për shqiptarët e Luginës.

    “Mendoj që në të gjitha rastet shqiptarët e Luginës do të ishte dashur të jenë të përjashtuar kur merren kësi lloj masash të cilat i shkëputin nga Kosova, sepse ne nuk kemi ku tjetër të drejtohemi”, përfundoi Zuka.

    Kujtojmë se masat e fundit të vendosura nga Qeveria e Kosovës janë në fuqi që nga data 22 janar dhe do të vazhdojnë deri më 2 shkurt.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark