×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    31 delegatë lëshojnë mbledhjen e Komitetit Olimpik: Parregullsi dhe shkelje të statutit

    Insajderi
    06 April 2022 - 16:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ashtu siç paralajmëruan edhe më herët, 31 delegatë të Komitetit Olimpik kanë lëshuar mbledhjen me ankesa për parregullsi. Përmes një reagimi të gjatë, ata kanë dhënë edhe arsyetimet e bojkotimit.

    “Bazuar në atë që ka ndodhur në Asamblenë e Punës së Komitetit Olimpik të Kosovës e cila është mbajtur me datë 30 Mars 2022, ditë e Mërkurë, në Hotel Emerald, bëjmë këtë reagim publik, në lidhje me parregullsitë dhe shkeljet e Statutit, Rregullores së Punës së Asamblesë, përgatitjen e dobët e me plot defekte teknike, si dhe udhëheqjen në mënyrë arbitrare të Asamblesë nga Presidenti dhe Sekretari i KOK”, thuhet në nisje të reagimit të delegatëve.

    Ata thonë se mbledhjet e Asamblesë së KOK, qoftë ato zgjedhore apo ato të Punës në të kaluarën, kanë qenë modeli më i mirë për gjithë Lëvizjen Olimpike në Kosovë.

    “Pa dyshim ato kanë qenë model i mirë edhe për organizatat qeveritare dhe jo qeveritare. Duke përcjellë mesazhe të qarta se si qeveriset një institucion aq i rëndësishëm sportiv, siç është Komiteti Olimpik i Kosovës. Në asambletë e KOK gjithherë ka pasur rregull, rend, transparencë, debate konstruktive, trajtim të temave me interes për sportin e Kosovës, demokraci, interpretim korrekt të statutit, rregulloreve e legjislacionit në fuqi, si dhe respektim dhe implementim maksimal të këtyre akteve normative, po ashtu kanë qenë të hapura për publikun duke u transmetuar drejtpërdrejtë në media e rrjete sociale të KOK”, vazhdon reagimi.

    31 delegatë, në këtë reagim, thonë se me 30 Mars 2022, kjo rregullsi e krijuar ndër vite u prish, po thuajse në të gjitha pikat e saj, nga një grup i vogël i Bordit Ekzekutiv të KOK, i udhëhequr nga Ismet Krasniqi President aktual dhe Besim Aliti sekretar i përgjithshëm i KOK.

    “Fare në fillim të mbledhjes, në pikën e konstatimit të Kuorumit të Asamblesë, u shfaqen probleme thelbësore, ku për shkak të kryeneçësisë së treguar nga Presidenti Krasniqi dhe Sekretari Aliti nuk arritën të tejkalohen. Presidenti së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm si dhe me Komisionin e Pavarur Zgjedhorë, kontrabanduan në listën e delegatëve dy federata me nga 3 vota, kundërligjshëm dhe fshehtas. Pra 6 delegatë, 3 nga federata e Pentatllonit Modern dhe 3 nga Federata e Kalërimit të Kosovës, u futen në lista dhe votuan kundërligjshëm pa pasur të drejtë vote”, thuhet në reagimin e tyre.

    Delegatët thonë se “me kohë reaguam në lidhje me këtë fakt, mirëpo Presidenti dhe Sekretari me veprimet e tyre arbitrare këtë e bënë fakt të kryer, duke ju dhënë të drejtën e votës në mënyrë të kundërligjshme, në kundërshtim me Statutin e KOK dhe pa e pyetur Asamblenë”.

    “Nga ky moment Asambleja e Punës së KOK ishte e pa ligjshme, dhe për këtë fakt nuk do të prodhojë asnjë pasojë juridike, dhe si e tillë ajo duhet të përsëritet; Asnjë vendim i sajë nuk mund të jetë i vlefshëm derisa në të kanë votuar 6 delegat pa të drejtë vote. Statuti i KOK dhe Rregullorja e Punës së Asamblesë u shkelen rëndë, pikërisht nga njeriu që është i thirrur ta mbikëqyr zbatimin e tij, duke dëmtuar kështu seriozisht ligjshmërinë demokracinë dhe funksionimin e Asamblesë së KOK; Udhëheqja e Asamblesë u bë në formë arbitrare nga Presidenti dhe Sekretari i KOK; Debati u ndërpre në pikën e parë të rendit të ditës, duke mos ju dhënë fjala delegatëve, replika nuk lejohej ashtu si e parasheh rregullorja e punës; Interpretimet e Statutit u bënë gabimisht, e qëllimisht nga njerëz jo profesional, dhe njëanshëm duke mos ju lejuar asamblistëve që të dhënë mendimet e tyre rreth normave statutare ashtu siç e garanton Statuti, vetëm e vetëm për ti qitur para aktit të kryer asambleistët;

    Rregullorja e Punës së Asamblesë fare nuk u përfill, në asnjë pikë të saj; Transmetimi në media dhe rrjete sociale të KOK u ndërpre, për të mos u parë nga publiku skenari i kontrabandimit të votave dhe udhëheqjes arbitrare të pa parë ndonjëherë në historinë e KOK, i përgatitur nga Presidenti e Sekretari; Asambleja ishte teknikisht e përgatitur keq: foltorja u largua nga vendi i vet, për të mos pasur mundësi delegatët të dilnin në foltore, renditja e federatave u bë në mënyrë preferenciale dhe jo sipas radhitjes alfabetike që është bërë çdo herë”, thuhet tutje në reagimin e delegatëve, transmeton Insajderi.

    Delegatët e federatave të reja, thuhet në reagim, që ishin në rend dite për tu pranuar nga Asambleja e KOK, ishin ulur në një vend me federatat me të drejtë vote, dhe me të drejtë dyshohet se edhe ata kanë marrë pjesë kundërligjshëm në votim, me qëllimin e vetëm për tu arritur numri i votave të mjaftueshme udhëheqjes aktuale;

    Propozimi i 3 federatave për t’u shtuar një pikë e rendit të ditës së Asamblesë thuhet nga delegatët se nuk doli në votim fare ashtu siç e parasheh Statuti dhe Rregullorja e Punës së KOK.

    “Delegatët e federatave të kontrabanduara po ashtu ishin të ulur në ulëset e delegatëve me të drejtë vote; Mungonin fletët e votimit për një pjesë të madhe të delegatëve; Numërimi i votave u bë nga Presidenti i KOK dhe jo nga KPZ; Bazuar në gjithë atë që u tha më lartë konstatojmë si më poshtë”, shkruajnë tutje në reagim duke përmendur konstatimet.

    Asambleja e Punës së KOK e datës 30 Mars 2022 ishte e pa rregullt, e pa ligjshme, si e tillë nuk është e pranueshme dhe nuk do të prodhojë asnjë pasojë juridike as tash dhe as në të ardhmen;

    https://gjc.gjirafa.com/Home/IndexR?configId=5563-1&gjid=56330288&v=2.1&guid=6adb9f8cdac44306895ed759cf1cd8d95281b862187c4c7a8e5208960487de6f

    Kjo Asamble duhet të përsëritet në të gjitha pikat e rendit të ditës duke përfshi edhe pikën e kërkuar nga federatat sportive për votëbesim të Presidentit dhe Bordit Ekzekutiv;

    Mbledhjet e Asamblesë nuk mund të udhëhiqen në mënyrë arbitrare dhe të një anshme as tash dhe as në të ardhme, ato duhet udhëhequr duke respektuar, Statutin, rregulloret në fuqi, si dhe të respektohen të drejtat themelore demokratike si e drejta e fjalës, replikës, debatit, e votës së lirë etj;

    Përgjegjës direkt për këto parregullsi është presidenti Komitetit Olimpik të Kosovës, sepse ai ka për detyrë ta siguroj mbikëqyrjen dhe zbatimin e Statutit të KOK dhe Kartën Olimpike në Kosovë, e jo ai ta shkelë vetë atë;

    Asambleja duhet të thirret brenda një muaj për tu kthyer ligjshmëria e saj;

    Në rast të mos thirrjes së asamblesë nga Presidenti dhe BE i KOK, ne do ta dërgojmë rastin në KAS të KOK;

    Po ashtu për të gjitha shkeljet e bëra do të njoftojmë Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë, atë të Evropës, ANOC, ICMG dhe të gjitha organizatat ku është anëtare KOK;

    “Ky reagim bëhet në emër të 31 delegatëve të Asamblesë që e kanë lëshuar Mbledhjen e Asamblesë së KOK, për shkak të shkeljeve statutare dhe rregulloreve të KOK që janë në fuqi”, përfundon reagimi i 31 delegatëve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark