×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    84 viktima të reja pranohen në procesin e Thaçit dhe të tjerëve

    Insajderi
    22 February 2023 - 08:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar dje se kanë pranuar edhe 84 viktima në procesin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

    “Trupi Gjykues II nxori vendimin e pestë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Tetëdhjetë e katër parashtrues të kërkesave u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor” -thuhet në vendim.

    Sipas gjykatës, viktimat do të përfshihen në grupin ekzistues 1 (i cili numëronte 53 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohen nga përfaqësuesi i njëjtë i viktimave.

    Kjo e çon numrin total të viktimave pjesëmarrëse në 137 në këtë çështje.

    Gjykata ka bërë të ditur se 86 kërkesa u refuzuan.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

    Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

    Më 29 prill të vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

    Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje.

    Si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen.

    Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

    Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark