IPKO, në mes të oligarkut bullgar dhe Telekomit të Serbisë

Një kompani me shumicën e aksioneve në pronësi të Republikës së Serbisë dhe një firmë private me aksionar kryesor një oligark bullgar, janë në garë për përvetësimin e IPKO-s, aksionet e së cilës janë vënë në shitje vitin e kaluar. 

IPKO, në mes të oligarkut bullgar dhe Telekomit të Serbisë

Hedhja në treg e 100 për qind të aksioneve të kompanisë telekomunikuese IPKO, aksionet e së cilës momentalisht i zotëron Telekomi i Sllovenisë, ka zgjuar interesim nga investitorë kontravers nga jashtë vendit.

Telekomi i Serbisë, 58.8 për qind të aksioneve të së cilës i zotëron shteti serb, i ka bërë publike synimet e saj për blerjen e IPKO-s rreth dy muaj më parë.

Vladimir Luçiq, njeriu i cili udhëheq me sektorin e Internetit dhe Multimedias në Telekomin e Serbisë, i ka thënë mediumit serb Capital.rs, se oferta e operatorit shtetëror serb – e cila raportohet të arrijë vlerën e 155 milionë eurove – nuk mund të konsiderohet politike.

“Oferta jonë nuk është politike, por natyrisht është ekonomike dhe shumë e rëndësishme për ne në realizimin e qëllimit tonë për t’u bërë kompani udhëheqëse në fushën e telekomunikacionit”, ka thënë Luçiq më 5 korrik të 2020-s.

Synimet e Telekomit të Serbisë nxitën reagime të ashpra në Kosovë, me arsyetimin se blerja e aksioneve të IPKO-s nga Telekomi i Serbisë do të cenonte sigurinë kombëtare të vendit.

Mirëpo, kur ARKEP e bëri të qartë se subjektet e huaja nuk mund të bartin aksionet e kompanive telekomunikuese pa miratimin e tij, në pazar për blerjen e IPKO-s ka hyrë një kompani tjetër e dyshimtë, aksionari kryesor i së cilës është një oligark bullgar me bazë në Londër.

Bëhet fjalë për kompaninë Albania Telecom Invest AD, aksionet e së cilës i ndajnë investitori bullgar Spas Roussev me 51 për qind dhe biznesmeni shqiptaro-bullgar Elvin Guri me 49 për qind.

Siç raportoi Radio Televizioni i Kosovës (RTK) javën e kaluar, kompania në pronësi të Roussev-it dhe Gurit është ofertuese në procesin tenderues për blerjen e IPKO-s.

Roussev është një sipërmarrës kontravers, aktiviteti i së cilit është përcjell me polemika të shumta.

Siç ka raportuar Projekti i Raportimit të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (OCCRP) më 2015, Roussev është i njohur si “oligarku i krahut të djathtë” politik në Bullgari. Ai dyshohet për lidhje në të kaluarën me disa figura të krimit të organizuar në Bullgari, siç janë Ivan Todorov, i njohur me nofkën “Doktori” dhe Vasil Bozhkov, i njohur si “Kafka”.


Në jahtin e Roussev-it, nga e majta: Petar Petrov, i dënuar për pastrim të 26 milion €; Milen Velchev, ish-ministër i Financave të Bullgarisë; Miroslav Sevlievski, ish-ministër i energjisë. Në pjesën e pasme janë Ivan Todorov dhe ministri i atëhershëm i transportit, Plamen Petrov. Foto: OCCRP

Pas një atentati të dështuar ndaj bosit bullgar të krimit, Ivan Todorov, në prill të vitit 2003, kur vetura e tij shpërtheu në një rrugë të Sofjës, midis sendeve të tjera në automjetin e bombarduar të tij u gjet një fotografi.

Publikimi i në media i asaj fotografie asokohe shkaktoi tronditje në të gjithë Bullgarinë.

Ajo ishte realizuar në Monako, në jahtin e Roussev-it dhe e shfaqte atë në shoqërinë e Petar Petrovir, një të dënuari për pastrim të 26 milionë eurove; Milen Velçev, ministër i atëhershëm i financave në qeverinë bullgare 2001-2003; Miroslav Sevlievski, ish-ministër i energjisë dhe ish-ministrin e transportit Plamen Petrov.

Por, jo vetëm kaq. Biznesmeni Roussev kishte kryer rolin e sekserit në disa procese të privatizimit të ndërmarrjeve publike në Bullgari gjatë dekadës së kaluar.

Sipas mediumit ndërkombëtar Bloomberg Business, në disa procese të privatizimit, Roussev kishte vepruar si këshilltar i investitorëve të huaj si Motorola, MTG (Suedi), Electrowatt (Cyrih) dhe Intralot (Greqi).

Në fillim të vitit të kaluar, kompania Albania Telecom Invest AD, pronë e Roussev-it dhe Elvin Gurit, ishte bërë kompania që bleu Telekomin e Shqipërisë.

Kjo kompani rezultoi e suksesshme që ta përvetësojë Telekomin e Shqipërisë, por vetëm atë herë kur i kishte dështuar blerja e Telekomit të Serbisë.

ARKEP: Nuk lejojmë asnjë ndryshim që bie ndesh me Ligjin

Garën në mes të Albania Telecom Invest AD dhe Telekomit të Serbisë për blerjen e 100 për qind të aksioneve të IPKO-s është duke e monitoruar në vazhdimësi ARKEP-i.

Ky institucion që rregullon fushën elektronike dhe postare në Kosovë nuk është në dijeni për prapaskenat e procesit tenderues për shitjen e IPKO-s, një prej operatorëve më të zgjeruar në vend.

Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i ka thënë Gazetës Insajderi të martën se ende nuk është në dijeni për emrat e investitorëve që kanë ofertuar për blerjen e IPKO-s.

Por, ARKEP ka theksuar se nuk do të lejojë ndryshimin e aksionarëve të IPKO-s, nëse procesi bie ndesh me ligjin.

“ARKEP ende nuk ka pranuar ndonjë informatë zyrtare lidhur me emrat e ndërmarrjeve të interesuara për blerjen e aksioneve. Sidoqoftë, në funksion të përmbushjes së detyrave rregullatorë operatori IPKO është njoftuar se ARKEP do të trajtoj me kujdes këtë proces dhe nuk do të lejoj asnjë ndryshim, i cili bie ndesh me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Bordit të ARKEP-it për Gazetën Insajderi.

Po ashtu, të pyetur në lidhje me synimet e bëra publike të Telekomit të Serbisë për përvetësimin e IPKO-s, ARKEP ka deklaruar se asnjë operator nuk mund t’i bartë aksionet e saj pa miratimin paraprak të këtij autoriteti.

Këtë konstatim, Bordi i ARKEP-it e ka mbështetur në një vendim të këtij institucioni, të nxjerrë më 2019, i cili specifikon se “Autorizimi Individual i specifikuar për operatorin nuk mund të shitet, jepet me qera, të transferohet apo të jepet si garanci, pa miratimin paraprak nga ARKEP”.

ARKEP i ka thënë gazetës se përveç njoftimit zyrtar për fillimin e procesit të shitjes së IPKO-s, nga Telekomi i Sllovenisë nuk ka pranuar më asnjë informacion zyrtar për këtë çështje.

Telekomi i Sllovenisë e mban të fshehtë procesin e shitjes së IPKO-s

Procesi tenderues, i cili siç kanë deklaruar rreth dy muaj më parë zyrtarë të Telekomit të Serbisë, ka kaluar në fazën e dytë, është mbajtur në konfidencialitet nga pronarët aktual të IPKO-s.

Telekomi i Sllovenisë nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me shitjen e 100 për qind të aksioneve të kompanisë që ofron shërbime të internetit dhe telefonisë në Kosovë.

Kompania shtetërore sllovene, e cila bën pjesë në Bursën e Lublanës, ka thënë për Gazetën Insajderi se shitja e aksioneve të IPKO-s do të zyrtarizohet vetëm përmes sistemit të Bursës së Lublanës, atëherë kur procesi të ketë përfunduar.

“Telekomi i Sllovenisë bën pjesë në Bursën e Lublanës. Kompania do të informojë palët e interesuara për veprimet e mëtejshme në lidhje me këtë çështje [shitjen e IPKO-s] në përputhje me legjislacionin përkatës përmes sistemit në internet të Bursës së Lublanës”, ka thënë Telekomi i Sllovenisë në një përgjigje për Gazetën Insajderi.

Telekomi i Sllovenisë ka pohuar se IPKO ndodhet “akoma në procesin e shitjes” dhe se ndërmarrja nuk mund të japë informacione lidhur me ofertuesit për blerjen e IPKO-s.

Telekomi i Sllovenisë kishte blerë një pjesë të madhe të aksioneve të IPKO-s në Kosovë, në vitin 2005.

IPKO, bashkë me Telekomin e Kosovës, janë dy kompanitë e vetme të licencuara të telefonisë mobile dhe operojnë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. /GazetaInsajderi