×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Forca Amerikane e Hapësirës stacionon trupa në Gadishullin Arab

    Insajderi
    22 September 2020 - 08:44

    Forca Hapësinore tani ka një skuadrilje prej 20 avionësh të stacionuar në Bazën Ajrore Al-Udeid të Katarit, dislokimi i saj i parë jashtë vendit. Kjo forcë, e cila u krijua me këmbënguljen e Presidentit Donald Trump, përfaqëson degën e gjashtë të forcave të armatosura amerikane dhe shërbimin e parë të ri ushtarak të krijuar, që nga themelimi i Forcave Ajrore në vitin 1947.

    Ajo ka provokuar skepticizëm në Kongres, satirë në Netflix dhe, me logon e saj çuditërisht të ngjashme, është bërë shkak për barcaleta me beteja ndërgalaktike të tipit “Star Trek”.

    Luftërat e ardhshme mund të zhvillohen në hapësirë, por Shkretëtira Arabe ka qenë tashmë dëshmitare e asaj që ekspertët ushtarakë e quajnë “lufta e parë hapësinore” në botë – operacioni Stuhia e Shkretëtirës i vitit 1991 për të përzënë forcat irakiane nga Kuvajti. Sot, SHBA përballet me kërcënime të reja në rajon nga programi raketor i Iranit dhe nga përpjekjet për të bllokuar, hakeruar dhe “verbuar” satelitët që qarkullojnë në orbitë.

    “Kemi filluar të shohim se disa vende të tjera janë jashtëzakonisht agresive në përgatitjen për ta shtrirë konfliktin në hapësirë,” tha kolonel Todd Benson, drejtor i trupave të Forcës Hapësinore në Al-Udeid, për agjencinë e lajmeve Associated Press. “Ne duhet të jemi në gjendje të konkurrojmë dhe të mbrojmë të gjitha interesat tona kombëtare”, tha ai.

    Në një ceremoni betimi në fillim të këtij muaji në Al-Udeid, 20 trupa të Forcave Ajrore, të rrethuara nga flamuj amerikanë dhe antena të mëdha parabolike, iu bashkuan Forcës Hapësinore. Së shpejti të tjerë do t’i bashkohen njësisë së “operatorëve thelbësorë të hapësirës” të cilët do të drejtojnë satelitët, do të ndjekin manovrat e armikut dhe do të përpiqen të shmangin konfliktet në hapësirë.

    “Misionet nuk janë të reja dhe njerëzit nuk janë domosdoshmërisht të rinj,” tha Benson.

    Kjo i shqetëson disa ligjvënës amerikanë që e shikojnë Forcën e Hapësirës, me 16,000 trupat e parashikuara dhe buxheti prej 15,4 miliardë dollarësh për vitin 2021, si një projekt vanitoz për zotin Trump në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

    Shqetësimet për armatimin e hapësirës janë të vjetra. Por ndërsa hapësira po kontestohet gjithnjë e më shumë, ekspertët ushtarakë kanë përmendur nevojën për të patur një trupë hapësinore të dedikuar për mbrojtjen e interesave amerikane.

    Kërcënimet nga ana e konkurrentëve globalë janë rritur që nga Lufta e Gjirit Persik në vitin 1991, kur ushtria amerikane u mbështet për herë të parë tek koordinatat GPS për t’u treguar trupave vendndodhjen e tyre në shkretëtirë, kur ata po dëbonin forcat e diktatorit irakian Saddam Hussein nga Kuvajti.

    Benson nuk pranoi të përmendte vendet “agresive” që do të monitorojnë dhe ndoshta do të luftojnë pilotët e tij. Por vendimi për të dislokuar personelin e Forcës Hapësinore në Al-Udeid vjen pas shumë muajsh përshkallëzimi të tensioneve midis SH.B.A. dhe Iranit.

    Armiqësitë midis dy vendeve, që morën hov pas tërheqjes së njëanshme të Presidentit Trump nga marrëveshja bërthamore për Iranin, arritën kulmin në janar, kur forcat amerikane vranë një gjeneral të lartë iranian. Irani u përgjigj duke lëshuar raketa balistike drejt ushtarëve amerikanë në Irak.

    Këtë pranverë, Roja paraushtarake Revolucionare e Iranit lëshoi satelitin e saj të parë në hapësirë, duke zbuluar atë që ekspertët e përshkruajnë si një program sekret ushtarak hapësinor. Administrata Trump ka vendosur sanksione ndaj agjencisë hapësinore të Iranit, duke e akuzuar atë për zhvillimin e raketave balistike nën mbulesën e një programi civil për të hedhur satelitët në orbitë.

    Fuqitë botërore me programe hapësinore më të përparuara, si Rusia dhe Kina, kanë bërë përparim më kërcënues, pohojnë zyrtarët amerikanë. Muajin e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper paralajmëroi se Rusia dhe Kina po zhvillonin armë që mund të rrëzonin satelitët e SHBA, duke shpërndarë mbeturina të rrezikshme në hapësirë dhe duke paralizuar telefonat celularë si dhe dronë amerikanë, aeroplanë luftarakë, transportues aeroplanësh dhe madje edhe kontrollorët e armëve bërthamore.

    “Ushtria është shumë e varur nga komunikimi satelitor, nga navigimi dhe nga sistemi global i paralajmërimit për raketa,” tha Kapiten Ryan Vickers i Forcës Hapësinore në Al-Udeid.

    Trupat amerikane, shtoi ai, përdorin koordinatat GPS për të gjurmuar anijet që kalojnë nëpër rrugët strategjike të Gjirit “për t’u siguruar se ata nuk do të hyjnë në ujërat ndërkombëtare të vendeve të tjera”./voa.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark