×
  • Lajme
  • Lajme

    Babai i Agon Musliut i zemëruar me deputetët: Për familjarët tuaj, flakë për goje do t’ju dilte

    Insajderi
    22 September 2020 - 13:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Naim Musliu, babai i Agon Musliut, 26-vjeçarit i cili vdiq më 3 maj në Qendrën e Studentëve, ka shprehur mllef për qasjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në raport me rastin e djalit të tij, siç ka thënë ai, “në duart e shtetit”.

    I ftuar për të dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për vdekjen e djalit të tij, Naim Musliu ka kritikuar kryetaren e komisionit, Mimoza Kusari-Lilën.

    Ka thënë se ajo dhe deputetë të tjerë të opozitës aktuale nuk e kanë ngritur asnjëherë çështjen e djalit të tij, Agonit, në Parlamentin e Kosovës.

    “Çka ju pengoj ty dhe asaj Kollçakut me qenë prezenca ime këtu? A s’është vdekje me vend kjo a? Sidomos ju të Vetëvendosjes në Parlament dhe gjithkund, kur është fjala për djalin tim po e ulni kokën po e futni ndër këmbë. Pse s’e ngritni zërin për djalin tim? Po të kishte qenë familjar i juaj, Vetëvendosjes, flakë për goje kishi qitë”, ka thënë Musliu.

    Sipas Musliut, djali i tij 26-vjeçar ka vdekur në duar të shtetit.

    “Zonjë, pse s’po na kurseni në Parlament, me u çu e me thënë për Agonin ‘u bë e padrejtë’. Pse në Parlament nuk e thoni asnjë fjalë ju të Vetëvendosjes?”, ka vazhduar Naim Musliu.

    Ndërkaq, Kusari-Lila ka deklaruar se Komisioni Hetimor Parlamentar nuk i ka shkelur asnjëherë procedurat ligjore në kuadër të veprimeve të ndërmarra për hetimin e rastit të Agon Musliut.

    “Z. Musliu, a ka mundësi të ju kthej përgjigje në lidhje me atë çka na akuzove. Komisioni nuk ka bërë asgjë të jashtëligjshme dhe po e them me shumë mirëkuptim dhe dhimbje për humbjen e juaj, për arsye se kemi ardhur në Kuvend – është komision hetimor – kjo skenë dhe këto rrethana nuk i dëshiron askush, e më së paku një prind që është me dhimbje. Arsyeja që ne kemi dashur të ju kursejmë është pikërisht për këtë arsye”, ka deklaruar Kusari-Lila.

    26-vjeçari nga fshati Livoç i Epërm i Gjilanit, Agon Musliu, vdiq më 3 maj në karantinë, në Qendrën e Studentëve. Ai, një ditë më herët ishte kthyer nga Gjermania, ku kishte shkuar për studime në fillimin e këtij viti. /Insajderi.org

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark