×
  • Lajme
  • Lajme

    Grenell në Beograd: Marrëveshja e Washingtonit – do të shndërrohet në vende pune

    Insajderi
    22 September 2020 - 13:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, tha të martën në Beograd se dakordimi i arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë “nuk është vetëm fjalë në letër”.

    Grenell i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd ku mbërriti të hënën në mbrëmje pas vizitës në Prishtinë si pjesë e një delegacioni, që drejtohet nga shefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler dhe shefja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed.

    Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë u pajtuan të martën në Beograd që të krijojnë një grup punues, i cili do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së 4 shtatorit, si dhe të ofrojnë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

    Ambasadori Grenell ritheksoi se “nuk do të ishim këtu pa presidentin Donald Trump i cili besoi se mund të bëhet diçka ndryshe dhe i cili beson se ekonomia duhet të vihet ne rend të parë. Ajo çfarë kemi bërë në Washington është e madhe, por nuk është e tëra. Duam të na mbani përgjegjës dhe ajo çfarë është në letër të shndërrohet ne vende të punës”, tha ai.

    Boehler, përgëzoi Odat ekonomike të të dyja vendeve për vendime që sic tha ai “janë për qytetarët dhe jo politikën”.

    Delegacioni amerikan qëndroi të hënën në Prishtinë ku zoti Boehler dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila, siç thuhet, garanton zbatimin e projekteve që dalin nga dakordimi i 4 shtatorit.

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbrëma me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell, në nderim të kontributit të për dakordimin e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ambasadori Grenell tha se të hënën në Prishtinë se vizita e delegacionit amerikan është dëshmi e përkushtimit për marrëveshjen e nënshkruar në Ëashington.

    “Ne nuk duam fjalë boshe, ne duam t’u tregojmë qytetarëve të Kosovës se cilët janë aleatët më të mëdhenj, se ne qëndrojmë me ju dhe mund të ecim përpara me zhvillimin ekonomik”, tha ambasadori Grenell, duke theksuar se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë do të ndryshojnë peizazhin politik të rajonit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark