×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Policia e Kosovës pranon donacion 5 qenë për Njësitin K9

    Insajderi
    30 June 2020 - 12:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) i ka dorëzuar Njësisë K9 të Policisë së Kosovës, një donacion prej pesë qeneve për zbulimin e armëve.

    Me ç’rast u tha, se qentë do të jenë një ndihmë e rëndësishme për Njësinë K9, pasi që do t’i ndihmojë agjencisë në zbatimin e ligjit në identifikimin efektiv të armëve të paligjshme të trafikuara, veçanërisht ato nga polimeri.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se fal punës dhe përkushtimit, Policia e Kosovës ka arritur që brenda 1 viti të konfiskoj rreth 1 mijë e 600 armë. Derisa theksoi se këta qen, do të shërbejnë në avancim të më tejshëm.

    “Deri më tani, sukseset e Policisë së Kosovës në këtë fushë janë mjaft evidente, ku për gjatë një viti kalendarik në kuadër të kontrolleve policore, kapjes së kontrabandimeve të armëve në pikat e kalimit kufitarë dhe zonës së gjelbër kufitare, përafërsisht konfiskohen rreth 1 mijë e 600 armë dhe municion të kalibrave të ndryshme….Po synojmë që edhe ky donacion të shërbejë që Policia e Kosovës të tregojë profesionalizëm në trajnimin e këtyre qeneve në përputhje me trendët e reja të kontrabandimit të armëve të vogla dhe të lehta. Instruktorët policorë të njësisë K9 pas kësaj ceremonie, në mënyrë aktive do të merren me trajnimin e qenve në detektimin dhe nuhatjen e materialit të quajtur polimer, ku tash më armët moderne shumicën e përbërjes së tyre e kanë nga ky material”, ka thënë Qalaj.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, u zotua se do të jetë i përkushtuar në fushën e sigurisë, derisa bëri të ditur, se në këtë aspekt Kosova synon të bëhet shembull rajonal.

    “Krahas përkushtimit të zyrtarëve policorë dhe institucionalë, mbështetja e partnerëve tanë strategjik si UNDP, Republika Federale e Gjermanisë, Franca dhe shtetet e BE-së, është shumë e domosdoshme dhe jetike… Prandaj misioni dhe angazhimi ditor i Ministrisë së Punëve të Brendshme është që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët të avancojmë nivelin e sigurisë në Kosovë dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës për qytetarët e Kosovës. Kosova në fushën e kontrollit dhe menaxhimit të armëve të vogla dhe të lehta, ka harmonizuar legjislacionin vendor me praktikat më të mira ndërkombëtare si dhe me direktivën për armët e Ballkanit të BE-së. Me këtë qasje Kosova synon të bëhet shembull rajonal në këtë fushë dhe me sukses synojmë të përmbushim të gjithë zotimin e dhënë dhe obligimet që dalin nga udhërrëfyesi rajonal për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Veliu.

    Ndërsa, përfaqësuesja e UNDP-së, Maria Suokko, deklaroi se institucionet e sigurisë duhet të jenë një hap përpara, derisa shtoi, se luftimi i trafikimit të armëve është pjesë e angazhimit të tyre së bashku me institucionet e sigurisë në Kosovë.

    “Institucionet e sigurisë duhet të jenë gjithnjë një hap përpara dhe kjo është ajo që po bën Policia e Kosovës, duke zgjeruar kapacitetet e saj në luftimin e trafikimit të armëve të paligjshme, kjo është arsyeja pse unë jam jashtëzakonisht i lumtur që jam këtu me të gjithë ju sot. Angazhimi i UNDP për të adresuar më shumë armët dhe armë të lehta, kontrollin dhe luftimin e trafikimit të armëve të paligjshme në Kosovë është pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë njerëzore dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbështetjen e Kosovës”, ka thënë ajo.

    Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, ka thënë se problemet e sigurisë këto ditë nuk mund të shihen të izoluara dhe se kërkohet bashkëpunim për të luftuar fenomenet negative.

    “Ajo që ne po shohim sot është një pjesë e diçkaje shumë më të madhe, bashkëpunimi në rajon por pastaj edhe me Bashkimin Evropian duke u marrë me armë të paligjshme, armë të lehta të vogla, të cilat janë rreziku, një rrezik para së gjithash për qytetarët e Kosovës, por unë do të doja të cekja edhe një rrezik për oficerët e policisë që kryejnë me besnikëri detyrën e tyre në rrugët e këtij vendi. Kemi parë ngjarje të mjaftueshme gjatë viteve të kaluara kur policët madje janë goditur ose janë vrarë në detyrës edhe për shkak të armëve të paligjshme, tani çfarë ka të bëjë kjo me Gjermaninë, çfarë lidhje ka kjo me Francën, dhe Bashkimin Evropian, problemet e sigurisë këto ditë nuk mund të shihen të izoluara, ato kërkojnë bashkëpunim…Pra, është interesi ynë i përbashkët për të luftuar këtë fenomen”, ka deklaruar ai.

    Përmes projektit Ndihmë për Luftimin e Trafikimit të Armëve të Paligjshme (CIAT) në Kosovë, të financuar bujarisht nga Qeveria Gjermane, pesë qenë K9 janë prokuruar për Policinë e Kosovës që do të trajnohen nga instruktorët e certifikuar të K9 të PK-së për nuhatjen e polimerit

    Lexo edhe...
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    20 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark