×
  • Lajme
  • Lajme

    Komisioni për menaxhimin e pandemisë pritet të hetojë edhe periudhën e Qeverisë Hoti

    Insajderi
    11 July 2020 - 18:56

    Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë fillimisht ishte themeluar për të hetuar punën e Qeverisë Kurti gjatë kohës së pandemisë.

    Qëllim kryesor i këtij komisioni ishte menaxhimi i situatës në karantinën te Qendra e Studentëve, rastin e vdekjes së Agon Musliut në këtë qendër si dhe tenderët e realizuar nga Ministria e Shëndetësisë në kohën e udhëheqjes së Arben Vitisë nga VV-ja.

    Por, për rritjen e numrit të të vdekurve në QKUK, për çka ka dyshime, rritjen enorme të rasteve pozitive me COVID-19, deri në 200 në ditë, ky komision pritet që ta zgjerojë punën, duke hetuar edhe menaxhimin e pandemisë nën qeverisjen e LDK-së, raporton KOHA.

    Kryesuesja e këtij komisioni, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se gjendja tani është shumë më e keqe sesa në kohën kur është mandatuar ky komision.

    Zbatimi i masave parandaluese ndaj COVID-19, moszbatimi i Pakos emergjente të miratuar në kohën e Qeverisë Kurti, janë disa çështje të tjera për të cilat do të kërkohet përgjegjësi nga zyrtarë të institucioneve të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

    Ndërsa sipas zyrtarëve të LDK-së, komisioni është duke e kryer punën në pajtim me ligjin dhe vendimin e Kuvendit dhe ka mandat hetimin e institucioneve për menaxhimin e pandemisë deri më datën 4 Qershor 2020.

    “Kërkesa e zonjës Kusari për zgjerimin mandatit kohor të Komisionit hetimor parlamentar edhe për periudhën e tanishme të pandemisë, sipas dispozitave të Ligjit, duhet të ketë mbështetjen e iniciuesit, ose mund të iniciojë formimin e komisionit tjetër me fushë e objekt të ri hetimi! Vetëm pasi që të kemi qëndrimin e iniciuesit të krijimit të Komisionit hetimor parlamentar, grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike e Kosovës, do ta japë qëndrimin e vet në lidhje me këtë çështje”, ka thënë deputeti i LDK-së, njëherësh edhe anëtar i këtij komisioni, Ilir Ferati.

    Ky komision është themeluar me iniciativë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe hetimi do të zgjasë 6 muaj.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    29 March 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark