Pas miratimit të Projektligjit nga Qeveria e Kosovës, për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në Kosovë nga vitet 1990 deri në vitin 1999, është anuluar greva e paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK), shkruan Insajderi.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, ka thënë se sot kanë marrë lajme të mira për kërkesën e tyre, lidhur me njohjen e kontributeve të mësimdhënësve. Ai ka thënë se pasi që kryeministri ka filluar ta përmbush kërkesën e tyre është anuluar greva e 13 prillit.
“Ishte kërkesë sublime e jona dhe duke qenë se është duke u punuar në kërkesat tona ne e konsideruam se janë pjekur kushtet për ndërprerjen e grevës së 13 prillit, protestë kjo që do të zgjaste deri në afat të pa caktuar”, ka thënë Jashari për Insajderin.
Kujtojmë se sot në mbledhjen e qeverisë është proceduar projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në Republikën e Kosovës nga viti shkollor 1990-91 deri në vitin 1998-99.
Po ashtu SBASHK-u kishte paralajmëruar grevë më 13 prill, për shkak të mosnjohjes së kontributit të mësimdhënësve./Insajderi.com