×
  • LifeStyle
  • LifeStyle

    A do të shembet civilizimi ynë brenda këtij shekulli?

    Insajderi
    19 July 2021 - 15:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një studim i ri i jashtëzakonshëm nga një drejtues në njërën nga kompanitë më të mëdha të kontabilitetit në botë, ka zbuluar se një paralajmërim i famshëm disa dekada më parë nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) mbi rrezikun e shembjes së civilizimit industrial, duket të jetë i saktë bazuar në të dhënat e reja empirike.

    Ndërsa bota pret një reagim në aspektin e rritjes ekonomike, pas shkatërrimit që solli pandemia e Covid-19, studimi i ri ngre disa pikëpyetje urgjente në lidhje me rreziqet e përpjekjeve për t’u kthyer në “normalitetin” që kishim para pandemisë.

    Në vitin 1972, një ekip i shkencëtarëve të MIT u bënë bashkë për të studiuar rreziqet e rënies së qytetërimit tonë. Modeli i tyre mbi dinamikën e sistemit i botuar nga Klubi i Romës, identifikoi “kufijtë e afërt të rritjes” (LtG), gjë që do të thoshte se civilizimi industrial ishte në rrugën e duhur për t’u shembur diku brenda shekullit XXI, për shkak të mbi–shfrytëzimit të burimeve planetare.

    Analiza e diskutueshme e MIT, gjeneroi debate të forta dhe në atë kohë u përqesh gjerësisht nga ekspertë, të cilët keq-prezantuan gjetjet dhe metodat e tij. Por ajo analizë ka sot fituar sot një justifikim mbresëlënës një një studim të kryer nga një drejtor i kompanisë së shërbimeve profesionale KPMG, një nga kompanitë e kontabilitetit më të mëdha në botë, pjesë e “Big Four”, e matur kjo nga të ardhurat globale.

    Kufijtë e rritjes dhe rreziku i shembjes

    Studimi u botua në “Yale Journal of Industrial Ecology” në nëntor 2020, dhe mund të lexohet në faqen e internetit të KPMG. Ai arrin në përfundimin se trajektorja aktuale e zakonshme e civilizimit global, po shkon drejt rënies përfundimtare të rritjes ekonomike brenda dekadës së ardhshme, dhe në rastin më të keq, mund të shkaktojë kolaps social deri në vitin 2040.

    Autori i tij, Gaja Herrington, është drejtuese e Qëndrueshmërisë dhe Analizës Dinamike të Sistemit në KPMG. Studimi nuk është kryer në emër të KPMG, dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e KPMG.

    Herrington e kreu kërkimin si një shtojcë e tezës së saj të masterit në Universitetin e Harvardit, në cilësinë e saj si këshilltare në Klubin e Romës. Analiza e re e Herrington shqyrton të dhënat në 10 variabla kryesorë, përkatësisht popullsia, nivelet e lindshmërisë, nivelet e vdekshmërisë, prodhimi industrial, prodhimi i ushqimit, shërbimet, burimet e parinovueshme, ndotjen e vazhdueshme, mirëqenien njerëzore dhe gjurmën ekologjike.

    Ajo zbuloi se të dhënat e fundit përputhen më së afërmi me dy skenarë të veçantë, ‘BAU2’ (biznesi si zakonisht) dhe ‘CT’ (teknologjia gjithëpërfshirëse). “Skenarët BAU2 dhe CT,tregojnë një ndalje të rritjes brenda një dekade apo pak më shumë nga tani. Të dy skenarët tregojnë se vazhdimi i biznesit si zakonisht, pra ndjekja e rritjes së vazhdueshme ekonomike, nuk është më i mundur.

    Edhe kur shoqërohet me një zhvillim të paparë teknologjik, biznesi si zakonisht i modeluar nga LtG do të çonte në mënyrë të pashmangshme në rënien e kapitalit industrial, prodhimit bujqësor dhe të niveleve të mirëqenies brenda këtij shekulli”- thekson ajo në studim.

    Herrington thekson gjithsesi se në modelet e MIT “World3”, shembja “nuk do të thotë se njerëzimi do të pushojë së ekzistuari”, por përkundrazi se “rritja ekonomike dhe ajo industriale do të ndalet, më pas do të bjerë, gjë që do të dëmtojë prodhimin e ushqimit dhe standardet e jetesës. Për sa i përket kohës, skenari BAU2 tregon një rënie të madhe që pritet të ndodhë rreth vitit 2040.

    Fundi i rritjes ekonomike?

    Në skenarin gjithëpërfshirës të teknologjisë (CT), rënia ekonomike që ndodh rreth kësaj date sjell sigurisht një sërë pasojash të mundshme negative, por nuk do të çojë në një kolaps social. Fatkeqësisht, skenari që përshtatet më pak me të dhënat më të fundit empirike ndodh të jetë rruga më optimiste e njohur si “SW” (bota e stabilizuar), në të cilën civilizimi ndjek një rrugë të qëndrueshme dhe përjeton rëniet më të vogla të rritjes ekonomike, bazuar tek një kombinim i inovacionit teknologjik dhe investimeve të përhapura në shëndetin publik dhe arsim.

    Megjithëse që të dy skenarët e biznesit si zakonisht dhe teknologjisë gjithëpërfshirëse,tregojnë fundin e ardhshëm të rritjes ekonomike brenda rreth 10 vjetësh, vetëm skenari BAU2 “tregon një model të qartë kolapsi, ndërsa CT sugjeron mundësinë e rënieve relativisht të buta në të ardhmen, më së paku për njerëzimin në përgjithësi”.

    Një dekadë kohë për themelimin e një civilizimi të ri

    Ndërsa fokusi tek ndjekja e rritjes së vazhdueshme ekonomike do të jetë i kotë, studimi zbulon se progresi teknologjik dhe investimet e rritura në shërbimet publike, nuk mund të shmangin vetëm rrezikun e kolapsit, por mund të çojnë në një civilizim të ri të qëndrueshëm dhe të zhvilluar që vepron i sigurt brenda kufijtë planetarë.

    Por ne kemi vërtet vetëm dekadën e ardhshme për të ndryshuar kursin. “Në këtë pikë, të dhënat përputhen më së shumti me skenarët CT dhe BAU2 të cilët tregojnë një ngadalësim por edhe ndalje të mundshme të rritjes brenda dekadës së ardhshme apo më shumë. Por Ëorld3 lë të hapur çështjen nëse rënia pasuese do të sjellë një kolaps social”- përfundon studimi.

    Në një prezantim në Forumin Ekonomik Botëror në vitin 2020 Herrington foli për ‘agrowth’ – një qasje agnostike ndaj rritjes ekonomike, e cila përqendrohet në qëllime dhe përparësi të tjera ekonomike.

    “Aktiviteti njerëzor mund të rigjenerohet, dhe kapacitetet tona prodhuese mund të transformohen. Në fakt, ne po shohim që tani shembuj të kësaj”- tha ajo, duke vënë në dukje se si zhvillimi dhe prodhimi i shpejtë i vaksinave kundër Covid-19 dëshmon se nëse vendosim të veprojmë, ne jemi të aftë t’u përgjigjemi shpejt dhe në mënyrë konstruktive sfidave globale. / bota.al.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark