12:30 - 25 Qershor 2020

Misionit të EULEX-it i ka skaduar mandati në këtë muaj.

Nga 14 qershori, i gjithë stafi i EULEX-it është duke qëndruar kundërligjshëm në Kosovë.

Presidenti Hashim Thaçi mësohet se ua ka konfirmuar që nuk do të ketë vazhdim të mandatit të tyre dhe nuk do të ketë më as letërkëmbim mes atij dhe Bashkimit Evropian për misionin e EULEX-it në Kosovë.

Të frikësuar dhe në pamundësi për ta siguruar letërkëmbimin, nga burime brenda institucioneve të inteligjencës mësohet se ka dyshime se misioni i EULEX-it po përdorin mjete joligjore përmes ish-stafit të tyre, që tashmë janë pjesë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara, që në mënyrë indirekte ta shantazhojnë presidentin Thaçi me aktakuzë të Gjykatës Speciale.

Pa letërkëmbim, misioni i EULEX-it në Kosovë është i kundërligjshëm dhe ata nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë në vendin tonë pa vullnetin e institucioneve të Kosovës.

Zyra e Presidentit e ka konfirmuar për Insajderin se nuk ka pasur letërkëmbim mes presidentit Thaçi dhe BE-së për vazhdimin e mandatit të EULEX-it në.

Në përgjigjet drejtuar Insajderit, nga Zyra e Presidentit, kanë treguar se  Presidenca e Kosovës nuk ka parë asnjë arsye që të vazhdohet mandati aktual i EULEX-it, si një mision i madh, veçanërisht pasi institucionet e Kosovës, që një kohë të gjatë, sipas përgjigjes së Presidencës janë plotësisht kompetentë të kryejnë çdo detyrë.

“Institucionet e Kosovës që një kohë të gjatë janë në gjendje t’i marrin mbi vete të gjitha kompetencat që i ka mbajtur EULEX-i. Prandaj edhe ka qenë kërkesë e autoriteteve kosovare që mandati i EULEX-it dhe prezenca e BE-së të reduktohet në fushën e sundimit të ligjit dhe të jetë e njëjtë si në vendet tjera të rajonit”, thuhet në përgjigje.

Përveç kësaj, nga Zyra e Presidentit, thonë se ka pasur presion të madh për vazhdimin e mandatit ekzistues të EULEX-it, mirëpo thuhet se presidenti Hashim Thaçi, ka bërë të ditur në çdo takim se mandati i EULEX-it ishte vazhduar në vitin 2018-të dhe kjo ka qenë hera e fundit që është zgjatur mandati i këtij misioni.

“Nuk ka pasur letërkëmbim dhe as negociata për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Por, ka pasur presion të madh, me javë të tëra, që të vazhdohet mandati ekzistues i EULEX-it”, thonë nga Zyra e Presidentit.

“Presidenti Thaçi në takimet me përfaqësuesit e BE-së dhe të EULEX-it është shprehur se Kosova është mirënjohëse për ndihmën e vazhdueshme në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe e vlerëson si të suksesshëm misionin e EULEX-it. Por, tani është koha që të gjitha kompetencat e EULEX-it të kalojnë te institucionet vendore. Kosova më nuk ka nevojë për EULEX-in, por do të pranojë çdo përkrahje në forcimin e rendit dhe ligjit nga ana e BE-së, sikur që është rasti në vendet e rajonit. EULEX-i tanimë nuk ka mandat për të qëndruar në Kosovë”, përfundon përgjigja e Zyrës së Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, Insajderi, gjatë gjithë ditës ka tentuar të marr një përgjigje në lidhje me këtë nga misioni i EULEX-it, mirëpo përkundër pyetjeve të dërguara rreth kësaj çështjeje, ata ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Kujtojmë se dje Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Kjo aktakuzë përmban dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura./Insjaderi/