×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    A mund të shkojë Donald Trump në burg për dosje sekrete?

    Insajderi
    09 June 2023 - 21:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-presidenti amerikan Donald Trump është akuzuar penalisht për herë të dytë brenda pak muaj.

    Këtë herë, tema është trajtimi i dosjeve të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë. Mijëra dokumente u sekuestruan në një kontroll të FBI-së në pronën e tij në Florida, Mar-a-Lago vitin e kaluar, duke përfshirë rreth 100 të shënuara si të klasifikuara.

    Ekspertët ligjorë thonë se Trump, i cili kandidon sërish për president në vitin 2024, mund të përballet me burg nëse dënohet për keqpërdorim të dokumenteve ose për pengim të hetimit nëse e ka bërë këtë.

    Ai ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo keqbërje dhe tha se “asnjëherë nuk e kishte menduar që një gjë e tillë mund t’i ndodhte një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara”.

    Kur do të arrestohet Trump?

    Në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, Trump tha se i është kërkuar të paraqitet në një gjykatë federale në Miami të martën më 13 qershor.

    Shërbimi Sekret Amerikan do të takohet të premten me stafin e ish-presidentit dhe oficerët e Shërbimit Sekret, tha një zyrtar ligjor për partnerin amerikan të BBC-së, CBS News.

    Ata do të planifikojnë udhëtimin e Trump në gjykatë në Florida.

    Përpara seancës, agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së do të kryejnë vlerësime rreth sigurisë së gjykatës federale në Miami dhe rrethinat e saj dhe do të punojnë me oficerët e gjykatës për të formuar një plan sigurie.

    A mund të burgoset Trump nëse dënohet?

    Dokumentet e gjykatës tregojnë se Trump po përballet me 37 akuza penale për posedim të paautorizuar të materialit të klasifikuar, pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme.

    Mbi të bien 31 akuza për mbajtje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare sipas ligjit të spiunazhit.

    Aktakuza thekson se këto akuza parashikojnë një dënim maksimal prej 10 vjetësh.

    Gjithashtu ai akuzohet për konspiracion dhe mbajtje ose fshehje të dokumenteve dhe mund të marrë një dënim prej 20 vjetësh.

    Dy akuzat e fundit – skema e fshehjes, deklaratat dhe përfaqësimet e rreme – mbartin dënime me pesë vjet secila.

    Nuk është e sigurt së Trump do të dënohet. Disa ekspertë ligjorë besojnë se do të ishte e vështirë të provohej se ai ka kryer një krim.

    Në fund të fundit mund të jetë e vështirë të provohet se Trump kishte dijeni se çfarë po ndodhte. Ai gjithashtu mund të argumentojë se stafi i tij keqpërdori dokumentet pa miratimin e tij. /abcnews.al

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark