19:13 - 14 Janar 2022

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë është jokushtetues.

“Kryetari Memli Krasniqi ka shprehur qëndrimin e qartë të PDK-së për referendumin e Serbisë në Kosovë. Referendumi serb në Kosovë përbën shkelje të sovranitetit dhe rendit kushtetues. Ne kemi mbështetur qasjen e Qeverisë për të mos lejuar organizimin. Por Qeveria duhej të kishte një koordinim me vendet e QUINT-it, veçanërisht me SHBA-në. Kërkesa e Serbisë për të mbajtur referendum në Kosovë ka ardhur gjatë muajit dhjetor. Gjatë kësaj periudhe, duhet të kishim ofanzivë diplomatike nga presidentja, nga Qeveria, që të bindë aleatët që një kërkesë e tillë cenon integritetin e vendit. Qeveria ka vendosur të hesht dhe të mos bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Tahiri në konferencën për media, shkruan Gazeta Insajderi.

Megjithatë, ai ka treguar se deputetët e PDK-së, nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga kryeminstri Albin Kurti.

“PDK-ja e sheh krejt të panevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do të jmei pjesë e saj ditën e nesërme. Ne i kemi dhënë mbështetje një parimi, të cilin e ka shtyrë përpara Qeveria dhe nuk ka nevojë të prodhojë debat të mëtutjeshëm, prandaj e konsiderojmë të panevojshme mbajtjen e një seance të tillë, që është përpjekje e Qeverisë për shmangie të përgjegjësisë. I bëjmë me dije kryeministrit se zbatimi i ligjeve dhe vendimeve që rrjedhin nga ligjet është ekskluzivisht përgjegjësi e Qeverisë dhe jo e Kuvendit. Rendi kushtetutës nuk mund të mbrohet me rezoluta. Ne e dimë cili është karakteri i këtyre rezolutave në Kuvend. Qeveria i ka të gjitha instrumentet në dorë për të mbrojtur rendin tonë kushtetues dhe për t’i qëndruar prapa vendimeve të saja”, ka thënë tutje Tahiri, shkruan Gazeta Insajderi.

Kurti e ka thirrur këtë seancë pasi ai bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryekuvendari Glauk Konjufca, si dhe dolën me deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, duke theksuar edhe një herë kundërshtimin e tyre për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Në deklaratë thuhet se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

Krerët e shtetit i kanë thënë ambasadorëve se qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse.

Sipas tyre, edhe praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021.

Institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë.

Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Për më tepër, sipas tyre, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse./Gazeta Insajderi/