16:01 - 09 Shtator 2021

Aeroporti i Stambollit është përfshirë në mesin e 10 aeroporteve më të mirë në botë në anketimin e “World’s Best Awards 2021″ të revistës ”Travel and Leisure” me qendër në Nju Jork.

Në një deklaratë nga Aeroporti i Stambollit (IGA-Istanbul Grand Airport) thuhet se në anketën “World’s Best Awards 2021” të revistës i cila zhvillohet çdo vit, është përfshirë edhe aeroporti i Stambollit në kategorinë e “10 aeroporteve më të mira ndërkombëtare në botë”.

Sipas rezultatit të anketës që përcaktohet me votat e lexuesve të revistës “Travel and Leisure”, aeroporti i Stambollit është renditur i dyti pas aeroportit ”Singapore Changi”, me 91.17 pikë, duke lënë pas edhe aeroporte të tillë si ”Incheon” (Kore e Jugut), Dubai, ”Hamad” (Katar), Tokio (Japoni), Hong Kong, Narita (Japonia), Zurich (Zvicër) dhe Osaka (Japoni).

Në kategorinë “10 aeroportet më të mira ndërkombëtare në botë” vlerësimet në anketë bëhen në aspektin e qasjes, check-in, sigurisë, ambienteve për ushqim dhe pijeve, shit-blerjeve dhe dizajnit ndërsa rezultatet shpallen sipas këtyre kritereve.