×
  • Sport
  • Sport

    Afrimi i Bunjakit për sulmin që nuk ka shënuar gol prej një viti

    Insajderi
    21 February 2017 - 01:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Albert Bunjaki e konfirmoi të hënën se do ta thërrasë në përfaqësuesen e Kosovës sulmuesin e skuadrës së kategorisë së dytë angleze Sheffield Wednesday Atdhe Nuhiu, për ndeshjet e muajit mars ndaj Islandës e Kamerunit.

    Nuhiu, familja e të cilit është me origjinë nga Presheva, ka lindur në Prishtinë mirëpo si i vogël ka emigruar me familjen në Austri, shkruan Insajderi.

    Trajneri i Kosovës megjithatë shpreson që edhe FIFA t’i jap leje sulmuesit 27-vjeçar që të paraqitet me Kosovën. Nuhiu më parë ka luajtur me përfaqësuesen e Austrisë U-21.

    Përveç Nuhiut, Bunjaki ka thënë se për dy ndeshjet e marsit do të ftohen edhe sulmuesi i Melbourne Victory, Besart Berisha dhe anëtari i Schalkes Donis Avdijaj.

    “Jam shumë i lumtur që Berisha do të luajë për Kosovën. Ai është një sulmues i madh me një përvojë të madhe. Kjo do të na shërbej shumë”, deklaroi të hënën Bunjaki për Express, shkruan Insajderi.

    Nuhiu dhe Berisha pritet të mbulojnë boshllëkun e lënë në qendër të sulmit, pasi sulmuesi veteran i përfaqësues, Albert Bunjaku i Erzgebirge Aue, nuk u grumbullua për ndeshjen e fundit ndaj Turqisë. Ai ishte i shprehur i zhgënjyer nga lënia në bankë për ndeshjen e tretë të Kosovës në kualifikuese, ndaj Ukrainës.

    Në dy ndeshjet e fundit ndaj Ukrainës dhe Turqisë vendin e qendërsulmuesit e mori anëtari i Gençerbirligi, Vedat Muriqi.

    Nuhiu, sulmuesi që s’ka shënuar gol prej 1 viti

    LONDON, ENGLAND - FEBRUARY 24: Atdhe Nuhiu of Sheffield Wednesday celebrates his goal during the Sky Bet Championship match between Millwall and Sheffield Wednesday at The Den on February 24, 2015 in London, England. (Photo by Clive Rose/Getty Images)

    Kosova, ka shënuar vetëm një gol në katër ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin “Rusia 2016”, por edhe premtimi i Bunjakit, Atdhe Nuhiu po kalon në një “thatësirë” të golave. Ish-anëtari i Rapid Wienës nuk ka shënuar gol prej 1 viti.

    Golin e fundit, Nuhiu e ka shënuar më 23 shkurt të vitit 2016 në ndeshjen Sheffield Wednesday – Queens Park Rangers në “Championship” – kategoria e dytë e futbollit anglez.

    Sulmuesi nuk po kalon në një formë të mirë këtë edicion. Ai ka zhvilluar vetëm 15 ndeshje në ligë këtë edicion – 2016/17 – me skuadrën që udhëhiqet nga trajneri Carlos Carvalhal, dhe nuk ka shënuar asnjë gol.

    Edhe hapësirat në skuadër janë shumë më të pakta këtë edicion për sulmuesin shtatlartë shqiptar, pasi skuadra e Wednesday ka transferuar gjatë afatit kalimtar të janarit sulmuesin e njohur nga Middlesbrough, Jordan Rhodes.

    Nuhiu në karrierën e tij ka luajtur në Austri me SV Ried dhe Rapid Wienën. Në Turqi me Ekisehirsporin dhe në Angli me Sheffield Wednesday – prej tre edicionesh.

    Refuzoi Shqipërinë për pasaportën austriake

    nu

    Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, u përpoq që ta vishte kuqezi Atdhe Nuhiun gjatë vitit 2015 por sulmuesi i Sheffield Wednesday nxori si shkak dyshtetësinë.

    Austria është ndër të paktat vende në Evropë që nuk lejon futbollistët të mbajnë dy pasaporta, ndaj cilido që kërkon të luajë për një Kombëtare tjetër duhet të heqë dorë nga ajo austriake.

    Këtë gjë nuk e pranoi sulmuesi kosovar i Sheffield Wednesday i cili në janar të vitit 2015 i dha fund shpresave të De Biasit që ta grumbullojë në Kombëtare.

    Në një intervistë për portalin austriak Sportnet.at, sulmuesi kishte pohuar se shpreson të grumbullohet nga Austria.

    “Sinqerisht, unë kam kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e reja të Austrisë dhe synoj të zhvillohem edhe në ekipin e parë të Austrisë. Ky është qëllimi im. Unë e di se shumë prej lojtarëve me të cilët kam luajtur në U-21, si Andreas Herzog, Alaba, Kavlak, Arnautoviç, janë në ekipin e parë. Kjo më bën paksa të zemëruar”, deklaroi Nuhiu.

    Megjithatë, teksa priste ftesën e munguar nga Austria, Nuhiu ka vendosur që të zgjidhë problemin e nënshtetësisë dhe të luajë për Kosovën. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark