Ajax konfirmon veten si kampion i Holandës dhe e bën këtë me një javë më pak, pas fitores së thellë 5-0 të shënuar ndaj Heerenveen në “Johann Cruijff Arena”.
Golat për “harkëtarët” e Amsterdamit u realizuan nga Tagliafico, Berghuis, Haller, Brobbey dhe Alvarez.
Ky është titulli i 36-të për ekipin më të suksesshëm në Holandë. Për Erik ten Hag një mbyllje me “happy end”, që kulmon me titullin e tretë (pa llogaritur sezonin 2019/20 që përfundoi pa fitues).
Pas këtij rezultati, PSV Eindhoven me 78 pikë, katër më pak se Ajax, do të duhet të kënaqet me vendin e dytë dhe kualifikimin në raundin e tretë kualifikues në Champions League sezonin e ardhshëm.
Feyenoord, kundërshtari i radhës i Romës, siguroi vendin e tretë në renditjen e Eredivisies dhe do të garojë në Europa League, falë suksesit 1-0 në fushën e Go Ahead Eagles, gol i nënshkruar nga Linssen (71’).