×
  • Lajme
  • Insajderi

    Akuza e kundër akuza për keqpërdorime në EULEX

    Insajderi
    28 November 2020 - 18:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në Kosovë komisioni parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, vendosi të premten që t’i mundësojë raportim para tij, ish shefit të gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, rreth pohimeve të tij për keqpërdorime në Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

    Zoti Simmons kishte dhënë dorëheqje në vjeshtën e vitit 2017 duke akuzuar misionin për korrupsion, ndërsa zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë atëbotë se janë duke hetuar zotin Simmons, por edhe pohimet e tij.

    Verën e këtij viti zoti Simmons i ishte drejtuar me një letër parlamentit të Kosovës duke shprehur gatishmërinë që të dëshmojë për keqpërdorimet në EULEX. Në letrën që u bë publike këtë javë nga mediet lokale ai thekson se mund të dëshmojë për një varg çështjesh që përfshijnë: ndërhyrjen në hetimet penale; kërcënimet ndaj dëshmitarëve të mbrojtur, përpjekjet për të ndërhyrë në gjykime, fshehjen e provave, ndërhyrje në çështjet penale për qëllime politike etj.

    Edhe në vjeshtën e vitit 2017 kur kishte dhënë dorëheqjen ai kishte ngritur shqetësime rreth korrupsionit në radhët e EULEX-it, duke e cilësuar si një mision politik. Atëbotë ai tha se misioni synonte që “individë të caktuar të largohen nga jeta publike”, duke ju referuar posaçërisht Fatmir Limajt, kryetar i Nismës Socialdemokrate që është përballur me gjykime për krime lufte dhe korrupsion.

    Të premten mbrëma, EULEX-i tha se e respekton vendimin e komisionit parlamentar, ndërsa hodhi poshtë pohimet e zotit Simmons.

    Në një postim në llogarinë e këtij misioni në rrjetet sociale thuhet se ai pret që zoti Simmons “do të përsëris edhe një herë versionin e tij të ushtruar mirë, të njëanshëm dhe të pa vërtetuar të keqbërjeve të pretenduara gjatë kohës së shërbimit të tij si gjyqtar” në këtë mision.

    “Si mision i sundimit të ligjit, besojmë fuqimisht në drejtësi. Dhe drejtësia duhet të vendoset nga gjykatat mbështetur në prova dhe jo në pretendime të pabazuara. Deri më sot, z. Simmons nuk ka arritur të fitojë asnjë çështje gjyqësore kundër EULEX-it dhe ai nuk ka arritur të provojë pretendimet e tij në gjykatë”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se zoti Simmons kishte ngritur në vitin 2019 këtë çështje në një gjykatë në Britaninë e Madhe por pa sukses, ndërsa siç thuhet në njoftimin e EULEX-it, ai nuk kishte arritur të ofrojë “dëshmi për pretendimet e tij”.

    Sikurse në vitin 2017 edhe kësaj radhe EULEX-i tha se zoti Simmons ishte subjekt i hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. “Hetimet janë zhvilluar nga një ekip në Bruksel që drejtohej nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë” dhe gjetjet u janë dorëzuar autoriteteve britanike që duhet të vendosin nëse do të ketë ndonjë veprim ndaj zotit Simmons apo jo.

    Malcolm Simmons ishte gjyqtar që nga fillimi i punës së misionit në vitin 2008 dhe nga 2014 deri në dorëheqjen e tij kishte kryesuar asamblenë e Gjykatësve të EULEX-it.

    Në prill të vitit 2015, zyrtarët evropian mbyllën një proces hetimesh katër muajshe mbi dyshimet e hedhura për korrupsion në radhët e Misionit të EULEX-it në Kosovë.

    Ish prokurorja britanike e këtij misionit Maria Bamieh, u kishte thënë medieve se zyrtarë të EULEX-it mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale. Zyrtarët e EULEX-it thanë se dyshimet e hedhura nga zonja Bamieh, ishin shqyrtuar në tërësi që nga viti 2013.

    EULEX-i u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark