×
  • Lajme
  • Lajme

    Akuzat e Hasanit për librin e Arsim Bajramit: S’ka ide për Kushtetutë, përdori fusnota fiktive

    Insajderi
    03 October 2018 - 15:20

    Mbi 250 faqe është kritika e Hasanit ndaj dy autorëve që kanë shkruar librin për studentët e Juridikut, e që përdoret tash e sa kohë.

    Akuza për manipulime, qëndrime kaotike dhe me elemente të pakuptueshme për lexuesit, janë disa nga kritikat që Hasani ka drejtuar për autorët e librit.

    Madje Hasani akuzon Arsim Bajramin, njërin nga autorët e Kushtetutës, se nuk e ka të qartë se çfarë paraqet e drejta kushtetuese.

    Ai gjithashtu pretendon se dy autorët e këtij libri, nuk e njohin sistemin politik të Kosovës, dhe pozitën e presidentit.

    “Mosnjohja themelore e dallimit në mes të drejtës kushtetuese dhe kushtetutës, si degë e sistemit pozitiv juridik dhe si teori, si dhe në kuptimin e tyre material dhe formal; Mosnjohja themelore e rrjedhave dhe rëndësisë së mendimit filozofik dhe juridik të  proveniencës perëndimore, në të cilin bën pjesë Kosova dhe sistemit i saj juridik-kushtetues; Mosnjohja themelore e natyrës juridike të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës  e rolit dhe pozitës së saj në procesin e krijimit të shtetit të Kosovës; Mosnjohja themelore e modeleve të kontrollit kushtetues dhe të vetë gjyqësisë kushtetuese; dhe, së fundi mosnjohja themelore e sistemit politik të cilit i takon Kosova, gjë që shihet nga keqkuptimi mbi rolin dhe pozitën e presidentit të Kosovës”, thuhet në kritikën e gjatë të Enver Hasanit, shkruan Insajderi.

    Sipas Hasanit, dy autorët e këtij libri japin pikëpamje të paqarta, se Kushtetuta e Kosovës ka autorësi origjinale.

    “Sikundër mund të shihet nga faqet 165-173 të kësaj kritike, autorët tanë mundohen t’i imponojnë studentit dhe lexuesit një pikëpamje tërësisht të gabuara dhe të paqëndrueshme, gjithnjë me shpresën se do të shitet në treg ideja e autorit të parë të librit sipas së cilës Kushtetuta e Kosovës ka autorësi origjinale vendore dhe se hartuesit e saj janë bartës të pushtetit të sovranit të Kosovës, apo bartës të asaj që në të drejtën kushtetuese njihet si pushteti konstitutiv origjinal. Ky konstrukt nuk ka asnjë mbështetje shkencore e morale”, thuhet në vazhdimin e kritikës së gjatë të ish-kryetarit të Kushtetueses.

    Ai akuzon se dy autorët e këtij libri universitar, kanë shumë gabime kur flasin për Gjykatën Kushtetuese.

    Akuzat për presidentin e shtetit:

    Kritikat më të ashpra, Hasani i ka bërë për sqarimin e pozicionit të presidentit në Kosovë gjatë këtij libri.

    Në kritikën e tij, ai akuzon autorët Bajrami dhe Muçaj se nuk e kanë të qartë pozicionin dhe funskionet e presidentit në Kosovë.

    “Ndër gjërat e çuditshme dhe mjaft të shpeshta, në kuadër të gabimeve themelore të autorëve tanë hyn edhe ajo që ka të bëjë me Presidentin e Kosovës, rolin dhe pozitën e tij kushtetuese. Në disa vende, autorët thonë se ajo/ai ka kompetenca dualiste dhe ekzekutive, gjë që e bën Kosovën të ketë sistem semi-presidencial, në tjerat konstatojnë se Kosova është një vend tipik me sistem  parlamentar të qeverisjes, kurse në disa vende thonë që Kosova ka një sistem hibrid. Në asnjë vend nuk mund të haset shpjegimi, të cilin më së shumti e dëshiron studenti dhe lexuesi, lidhur me atë se cilit pushtet i takon shefi i shtetit në Kosovë”, pretendon Hasani.

    Veç përmbajtjes, në kritikën e Hasanit ka akuza edhe për citime fiktive.

    Ai pretendon se dy autorët kanë cituar autorë tjerë vendor, duke përdorur fusnota të huaja. Madje sipas tij, ën shumicën e rasteve ka pasur edhe citime fiktive.

    “Sa i përket aspektit përmbajtësor të literaturës ndërkaq, gjërat qëndrojnë edhe më keq: autorët tanë kanë cituar autorë vendor, duke përdorur si fusnotë autorë të huaj. Edhe atëherë janë cituar autorët vendorë, në të shumtën e rasteve citimi i faqeve është bërë në mënyrë fiktive ashtu që fare nuk korrespondojnë me tekstin e prodhuar nga autorët tanë. Në literaturën shkencore dhe  profesionale, kjo quhet manipulim i literaturës dhe përbën shkelje serioze të kodit të etikës  profesionale dhe shkencore”, thuhet në pëfundimet e kritikës së Hasanit

    “Shembulli se si nuk duhet shkruar një libër”

    Akuzat e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese shkojnë edhe më larg. Ai kërkon nga Arsim Bajrami dhe Florent Muçaj që të mos i detyrojnë studentët të paguajnë për këtë libër.

    E ata që e kanë blerë, t’ua kthejnë paratë.

    “Nga ky libër studentët vetëm sa marrin padije të thellë që nuk korrespondon me asnjë dije profesionale bashkëkohore nga kjo lëmi. Autorët e kanë për detyrim, shikuar në këtë kontekst, që së paku të mos marrin asnjë lek nga studentët dhe dashamirët e librit dhe, atyre që tanimë ua kanë marrë, t’ua kthejnë. Kjo për shkak se studentët me siguri që në mënyrë të sinqertë do të kenë besuar, sikur edhe vetë autori i këtyre rreshtave, se po marrin një libër vërtetë  profesional dhe të saktë shkencërisht”, thuhet tutje në përfundimet e tij.

    Sipas Hasanit ky libër, është mësimi se si nuk duhet të shkruhet një tekst universitar

    “Mënyra si është shkruar ky libër na mëson një gjë themelore: si nuk duhet shkruar një tekst universitar. Duke qenë kështu, ofrimi i tij për studentët, përveçse është jo ligjor është edhe jo etik sepse dëmton rëndë formimin e tyre profesional. Në fakt, kjo e fundit ka qenë arsyeja themelore  pse unë i kam hyrë punës për të bërë këtë studim kritik. Rrethana që edhe vetë jam pjesë e edukimit të tyre profesional ka qenë arsye shtesë për të shkruar këtë studim kritik. Sikur të bëhej fjalë për një libër që nuk i dedikohet studentëve, gjërat do të kishin qenë më ndryshe”, pretendon Enver Hasani.

    Arsim Bajrami nuk i komenton akuzat:

    Autori i librit “E drejta Universitare”, për të cilin Hasani shkroi një kritikë kaq të gjatë, nuk ka dashur të komentojë.

    Arsim Bajram për Insajderin ka thënë se kritikat e tilla nuk diskutohen në media, por me standarde shkencore.

    “Jo nuk kam asnjë koment. Ajo kritikë nuk zhvillohet mëpërmjet mediave, por me standarde shkencore”, ka thënë Bajrami.

    Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga autori tjetër i librit, Florent Muçaj por i njëjti nuk ka qenë i çasshëm.

    Enver Hasani dhe Arsim Bajrami janë profesorë në Fakultetin Juridik.

    I pari është professor në lëndët: E drejta ndërkombëtare publike dhe Teoria e marrëdhënjeve ndërkombëtare, kurse Bajrami ligjëron lëndët: Teoria dhe praktika parlamentare, E drejta kushtetuese dhe E drejta kushtetuese pozitive. /Insajderi.com

    Kritika e Enver Hasanit nda… by on Scribd

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark