×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Akuzë penale ndaj fituesit të 5 medaljeve të arta olimpike në not për sulm në Kapitol

    Insajderi
    15 January 2021 - 10:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Departamenti i Drejtësisë lëshoi ​të mërkurën një urdhër arresti ndaj kampionit në garat e notit, Klete Keller, nën dyshimet se ka marrë pjesë në ngjarjet e javës së kaluar në ndërtesën e Kapitolit në Uashington.

    Zoti Keller, i cili ka fituar 5 medalje të arta olimpike u identifikua si një ndër mbështetësit e Donald Trump-it që sulmuan Kapitolin javën e kaluar.

    Padia penale e ngritur kundër tij përfshin pamje filmike që dyshohet se tregojnë zotin Keller në një nga mjediset e brendshme të Kapitolit veshur me një xhaketë ku shquhej shenja e Ekipit Olimpik të Shteteve të Bashkuara.

    Federata Amerikane e Notit nuk pranoi të komentojë nëse mund të konfirmonte se zoti Keller ishte pjesë e turmës që hyri në Kapitol. Gjithashtu edhe përpjekjet për të siguruar një koment nga vetë zoti Keller ishin të pasuksesshme.

    Një grua që u përgjigj në telefon për agjencinë e pasurive të patundshme me bazë në Kolorado dhe Ohajo, ku punon zoti Keller, i tha agjencisë Reuters “se nuk kemi komente” mbi këtë çështje.

    Në një nga videot, e cila u sigurua nga një reporter i faqes konservatore informative “Townhall”, një person i identifikuar si zoti Keller, shihet mes turmës së oficerëve të policisë tek përpiqen për të dalë nga Kapitoli.

    Revista e përmuajshme dedikuar notit “Swimming World” shkruante se kishte konfirmuar përmes burimesh se zoti Keller ishte parë në Kapitol, duke shtuar se pamjet filmike nuk tregojnë kryerjen e ndonjë akti dhune nga ana e 38-vjeçarit.

    Sipas “New York Times”, zoti Keller i ka fshirë llogaritë e tij në rrjetet sociale, disa prej të cilave, siç shkruante gazeta, përpara se të fshiheshin përmbanin një lum mesazhesh pro-Trump-it postuar gjatë viteve të fundit.

    Më 6 janar zoti Trump nxiti mijëra mbështetës të marshojnë drejt Kapitolit gjë që më pas shkaktoi kaos. Turma e njerëzve që hyri me forcë në godinë dëmtoi ndërtesën dhe u bë shkak për evakuimin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Si pasojë pesë persona mes tyre një oficer policie humbën jetën./voa.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark