×
  • Lajme
  • Insajderi

    Alarmante- LDK e PDK në Prishtinë abuzojnë me buxhetin për kulturë, favorizojnë mbështetësit partiak

    Insajderi
    06 July 2022 - 18:44

    Drejtori i Qendrës Multimedia Jeton Neziraj ka reaguar pasi publikimit të listës përfituese të Thirrjes Publike për Kulturë nga komuna e Prishtinës.

    Për projekte dhe për ‘aktivitete kulturore’, komuna e udhëhequr nga Përparim Rama ka ndarë vetëm 4 mijë euro.

    Sipas Nezirajt, në këtë palo-kryeqytet kur mirëpret gurmanët financiar si Manifesta, Sunny Hill, organizatave e institucioneve që përnjëmend e bajnë kulturën ua gjuan nga një kockë bajate.

    “Çfar idiotizmi, miq! Kur thua, u sosën hilet, s’kan si na hedhin hi syve, të befasojnë! I shpallin rezultatet, por s’japin kurrfar detaje t’projekteve fituese, vec ca numra alla ‘176335’, qysh u japin të burgosurve! Hyni dhe shihni cfar shumash t’vogla ka nda per projekte e per ‘aktivitete kulturore’ Komuna e papërparuar e Prishtinës! Skandal, t’vjen me vjelle prej trishtimi! Një kryeqytet që vazhdon me lehë se po i mirëpret ‘gurmanët financiar’, ‘Manifesta-n’ e festivalin Sunny Hill, rahaton dhe ua gjuan nga nji kockë bajate organizatave e institucioneve që përnjimend e bajnë kulturën n’kët palo-kryeqytet. Për kurreshtarët: Qendra Multimedia e ka numrin 17339 dhe per aktivitetin e sajë vjetor ia paskan nda 4,000 euro)’, ka shkruar Neziraj.

    Lidhur me këtë ka reaguar edhe shkrimtari dhe autori i njohur, Adil Olluri i cili e ka quajtuar qesharake, fyese dhe poshtëruese për një organizim kulturor shumën e ndarë për festivalin “Fiction Fest”.

    Olluri ka shtuar udhëheqja e re e Komunës së Prishtinës (LDK-PDK) ia dha një goditje fatale “FICTION FEST-it.

    “Komuna e Prishtinës, gjegjësisht Drejtoria për Kulturë, paska aprovuar një shumë minore, qesharake, për edicionin e pestë (jubilar) të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST”, i vetmi festival proze në vendin tonë. Një shumë e tillë është qesharake, fyese dhe poshtëruese për një organizim kulturor, çfarë është festivali në fjalë.  Udhëheqja e re e Komunës së Prishtinës (LDK-PDK) ia dha një goditje fatale “FICTION FEST-it”, por shpresoj që ai do të mbijetojë dhe do të gjejë mbështetje alternative për ta zhvilluar edicionin e tij jubilar, ashtu siç i ka hije.  Mbështetja jo e mjaftueshme, por e kënaqshme, gjatë qeverisjes së Shpend Ahmetit, qenka shuar si me magji nga udhëheqja aktuale e Përparim Ramës. Ndoshta udhëheqja aktuale e qytetit tonë nuk e konsideron kulturë letërsinë dhe prozën artistike”, ka shkruar Olluri

    Lidhur me listën e publikuar nga komuna e Prishtinës, ka reaguar ashpër edhe botuesi Berat Dakaj.

    Dakaj ka thënë se drejtoria e kulturës në Prishtinë përmes kësaj liste kishte përkrahur projektet e atyre që kanë dhënë mbështetje për partitë në pushtet.

    Sipas Dakajt, në këtë listë u përkrahën projektet e individëve, të OJQ-ve, të bizneseve, e të profesorëve universitar që s’i viziton askush.

    Tutje, ai ka shtuar se anëtarët e komisionit vlerësues po na detyrojnë që t’i dërgojmë në Gjykatë.

    Aspak transparencë në këtë shpallje. Emrat dhe mbiemrat e njerëzve i kishin bërë shifra. Përkrahje tinëzare. Sa mora vesh prej burimeve brenda kësaj drejtorie, i kishin përkrahur projektet e profesorëve universitarë. I kishin përkrahur projektet e individëve, të OJQ-ve e të bizneseve që s’i viziton askush. I kishin përkrahur projektet e atyre që kanë dhënë mbështetje ashiqare për partitë (LDK-në dhe PDK-në”

    “I kishin përkrahur ato projekte që s’di kush as kur nisin, as kur bitisen, që s’e thotë kush një fjalë të mirë për projektet e tyre, absolutisht mediet asnjë fjalë, sepse ashtu sikurse i marrin paratë tinëz, edhe projektet i realizojnë tinëz. Veç disa dëshmi sa për sy e faqe për mbyllje të projektit i çojnë. Kështu si kanë vepruar, po na detyrojnë (anëtarët e komisionit vlerësues) të shkojmë drejt gjykatës një herë e mos të shkojmë edhe në vitin e ardhshëm!”, ka shkruar Dakaj./Insajderi.org

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark