Një album fotosh me imazhe reale të Adolf Hitlerit, i gjetur në dhomën e gjumit të Eva Braun në Berlin, do të dalë në ankand të mërkurën.
“Fotot janë shumë personale. Ato janë bërë nga dikush që kishte akses tek Fyhreri dhe që ishte i afërt me rrethin e brendshëm të tij”, tha Tim Harper, nga shtëpia e ankandeve C&T, që po e nxjerr në shitje albumin në Kent, në Anglinë jugore.
Albumi përmban foto personale të rrethit të brendshëm të Hitlerit, mes tyre nazistë të njohur si Joseph Goebbels, Hermann Goering dhe Heinrich Himmler.
Po ashtu, ai mban edhe foto të diktatorit nazist, të ulur teksa lexon dosje apo jashtë, i shoqëruar nga badigardë dhe trupa të SS-ëve.
“Imazhi i Hitlerit, veçanërisht fotot e tij, ishin të kontrolluara. Ato duhej të merrnin më parë miratimin. Ndaj, fotot që shihen në këtë album janë naturale, të lirshme, një numër prej tyre janë të mahnitshme dhe sigurisht nuk do të lejoheshin asnjëherë të bëheshin publike”, thotë Harper.
Albumi ishte zbuluar nga fotografi britanik Eduard Dean, që bashkë me reporterin Richard Dimbleby, hynë në bunkerin e Hitlerit në prill 1945.
Në korrik të 45-ës, britanikja “The Daily Mirror”, shkruante një histori për albumin, duke supozuar se fotografi që kishte bërë fotot ishte një nga badigardët personalë të Hitlerit dhe mund të kishte pasur një marrëdhënie me Eva Braun.
Drejtuesit e shtëpisë së ankandeve, presin ta shesin albumin për më shumë se 15 mijë paundë.