20:40 - 26 Maj 2023

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar së fundi pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Rohde ka thënë se pajtohet plotësisht me qëndrimin e SHBA-së, për veri, duke iu bërë thirrje palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës.

“Plotësisht dakord. Iu bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga përshkallëzimi, u bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të punojnë ngushtë me të NATO, KFOR dhe EULEX”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe, Policia e Kosovës hyri në objektet komunale të Zveçanit dhe të Zubin Potokut, përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh.

Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.