×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Anton Krasniqi, piktor i peizazhit, i veçantë në shprehje dhe stil

    Insajderi
    13 May 2023 - 21:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autor: Musa Prelvukaj-kritik arti

    Piktori Anton Krasniqi tashmë është një emër i njohur për opinionin artistik dhe artdashës shqiptar. Ai kryesisht krijon në fushën e peizazhit, pa i lënë anash format konkrete dhe abstrakte të kompozicionit. Si duket peizazhi është frymëzim i përhershëm i autorit, pra tematikë që zë vendin kryesor në opusin e tij të gjerë krijues dhe artistik. Duke marrë parasysh numrin e pikturave në këtë zhanër, mund të konstatoj se autori krijon një cikël të veçantë veprash me shprehje origjinale në frymën e artit bashkëkohor.

    Përveç tematikës të zgjedhur në peizazh, vërejmë shumësinë e ngjyrave futuriste me nuanca të pasura dhe kontrast të balancuar. Për t’i dhënë fuqi ekspresive pikturës, në disa raste format i përkufizon me ngjyrë të mbylltë, që mund t’i ngjasojnë vitrajit. Një gjë e tillë mund të jetë edhe synim i tij krijues. Disa forma me ngjyra dhe gradacion tregojnë anën magjepse dhe imagjinare të peizazhit, duke i respektuar parimet e perspektivës lineare që lehtë mund t’i ndiejmë si tri parime themelore në artin vizual, si afërsinë, largësinë dhe thellësinë. Në disa peizazhe autori e tregon afinitetin dhe gjithanshmërinë e të shprehurit artistik në pikturë, duke i kombinuar dhe shkrirë ngjyrat me qëllim që të largohet prej pak elementeve dekorative. Peizazhi nuk është vetëm për t’u parë, por për t’u ndier. Andaj, në pikturat e Antonit duhet hyrë me një vështrim dhe analizë më të përqendruar për ta njohur dhe  përjetuar veprën.

    Përveç peizazhit, autori krijon piktura me tematikë dhe realizime të ndryshme kompozicionale abstrakte. Ai krijon forma metaforike në mënyrë të stilizuar, duke iu përmbajtur koloritit të përzgjedhur dhe formave metaforike që me lëvizjen e tyre paraqesin, gjithnjë përmes ngjyrave, dinamikën dhe shqetësimet e jetës së sotme bashkëkohore urbane.

    Përveç peizazhit, kompozicionit kreativ, autori me kujdes të veçantë i hyn realizimit të portretit. Përveç proporcioneve të sakta dhe ngjyrave të lirshme, autori me sukses i realizon portretet e personave të gjinive dhe moshave të ndryshme, duke filluar prej atyre nga jeta e përditshme deri të personalitetet e shquara nga historia jonë kombëtare. Gjatë pikturimit të peizazheve, ai bën përpjekje të pareshtur për tē hyrë sa më thellë në psikologjinë e perceptimit të natyrës për t’iu shmangur përshkrimit natyralist. Përveç tablove të peizazheve, autori bën përpjekje të vazhdueshme për të gjetur mënyra të reja të shprehjeve, duke mos i anashkaluar elementët e vizatimit ose ndonjë teknikë tjetër të artit pamor.

    Nga ajo që kam parë në studio apo në pjesëmarrjen e tij në ekspozitat kolektive dhe vetanake, mund të konstatoj se Anton Krasniqi është piktor i kohës, i veçantë në shprehje dhe stil të ndërtuar. Është pak më ndryshe nga ajo që kam parë e përcjellë deri më tani dhe jam i bindur në ardhmërinë e ndritur të krijimtarisë së tij artistike. Nga opusi krijues i autorit, disa punime janë pëlqyer më shumë nga audienca artistike dhe jo rastësisht janë në pronësi të disa institucioneve publike shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe të koleksionistëve të ndryshëm.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark