×
  • Lajme
  • Insajderi

    Aplikimi i Kosovës në BE mund të pengohet nga shtetet që nuk e njohin pavarësinë

    Insajderi
    07 December 2022 - 09:20

    Brenda muajit dhjetor, Kosova pritet të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Njohës të integrimeve evropiane thonë se ky aplikim i hap rrugë një procesi të gjatë, i cili edhe mund të pengohet nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    Megjithëkëtë, aplikimi i paralajmëruar vlerësohet si një hap që mund të krijojë një momentum të ri.

    Deri në fund të muajit dhjetor Kosova pritet të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo ishte thënë prej kohësh nga krerët e shtetit, dhe është pohuar edhe javën që lamë pas.

     “Procesi i pranimit të anëtarëve të rinj në BE rregullohet nga neni 49 i Traktatit për Bashkimin Evropian, që bazuar në nenin 2 të të njëjtit Traktat thotë: Çdo shtet evropian që respekton vlerat e përmendura në nenin 2 dhe angazhohet për t’i promovuar ato, mund të aplikojë për t’u bërë anëtar i Bashkimit. Parlamenti Evropian dhe parlamentet kombëtare do të njoftohen për këtë aplikim. Shteti kërkues do t’ia drejtojë kërkesën e tij Këshillit, i cili do të veprojë njëzëri pasi të konsultohet me Komisionin dhe pasi të ketë marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian”, kanë thënë nga Zyra e BE ne Prishtinë në një përgjigje për Radio Kosovën.

    Tutje, thuhet se Unioni bazohet në vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut e tjerë.

    Profesor Dritëro Arifi thotë se Kosova meriton aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e ku aplikimi i hap rrugë një procesi të gjatë.

    “Besoj se ky është një momentum politik, e po ashtu, Qeveria ndoshta po dëshiron që edhe për poenë politikë ta shfrytëzojë dhe të bëjë kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, nuk është që nuk e meriton Kosova me qenë shtet kandidat, kur shohim vendet e Ballkanit Perëndimor që janë vende kandidate, e madje disa kanë hapur negociatat. Si tërësi besoj se ky është një provokim nga Kosova, ta quaj kështu, në kuptimin pozitiv, që t’i provokojë liderët e BE-së që të paktën të diskutojnë për këtë çështje”, tha ai.

    Njohësi i procesit të integrimeve evropiane, Shqiprim Pula, thotë se ky aplikim është një konfirmim politik i institucioneve të Kosovës për të ndjekur rrugën drejt Unionit Evropian. Deri tek anëtarësimi në BE, është një rrugë e gjatë dhe që mund të zgjasë me vite, thotë Pula.

    “Është një rrugë shumë e gjatë para nesh, për të përmbushur një mori kriteresh. Nuk duhet harruar se Kosova ka për obligim t’i përmbushë të gjitha, ato që quhen Kriteret e Kopenhagenit. Kjo natyrisht kërkon kohën e saj në procedurë dhe në vendimmarrje konsistente, për sa i takon përmbushjes së të gjitha atyre obligimeve që lindin për institucionet e vendit”, tha ai.

    Analisti Pula e profesor Arifi thonë se mungesa e njohjeve nga 5 vendet anëtare të BE-së mund të jetë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në BE. Nëse realizohet aplikimi për anëtarësim në BE, ky do të jetë aplikimi i dytë që Kosova bënë në një mekanizëm evropian, pas aplikimit që bëri me 12 maj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark