×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Armand Duka për “La Repubblica”: Jemi përgatitur shumë për këtë event, ndihemi krenarë 

    Insajderi
    17 May 2022 - 12:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur italiane, “La Repubblica”. Duka ka folur rreth organizimit të finales së Conference League për të cilën UEFA vendosi të luhet më 25 maj në Tiranë, stadiumi “Air Albania”.

    Kreu i futbollit shqiptar shprehet se kjo finale ka ardhur falë punës intensive disa vjeçare.

    – President, për herë të parë në Shqipëri do të organizohet një finale e një kompeticioni të UEFA-s. Çfarë ndjesish keni?

    Është krenari e madhe për ne të sillnim në vendin tonë finalen e parë historike të UEFA Conference League. Kemi punuar kaq shumë në gjithë këto vite për ta bërë Tiranën, të paktën për një ditë, qendrën e futbollit europian. Jemi krenarë për këtë arritje, mungojnë edhe pak ditë nga finalja, por gjithçka po shkon shumë mirë në drejtim të përgatitjeve. Jemi gati!

    – Nuk e di nëse keni lexuar polemikat në Itali dhe në Holandë në lidhje me organizimin e këtij eventi.

    Janë të gjitha polemika të panevojshme. Si thuhet në italisht? Dashakeqëse më saktë. Janë burim i paragjykimeve që ka ndaj shqiptarëve. Ne jemi të aftë të organizojmë një event kaq të rëndësishëm dhe do ta dëshmojmë këtë më së miri.

     Një stadium me 21 mijë vende për spektatorët, a nuk është i vogël për një finale europiane?

    Arena Kombëtare është një xhevahir, është impianti më i mirë në vendin tonë dhe i përmbush të gjitha kriteret e UEFA-s. Nëse nuk do të ishte kështu nuk do të na besonin pritjen e një finaleje. Ndoshta nuk pritej një kërkesë kaq e madhe për bileta nga ana e dy finalisteve.

    – Pak ditë më parë klubi i Feynoord-it ka publikuar një komunikatë për shtyp me nota të ashpra për mënyrën e shitjes së biletave.

    Nuk e kuptoj se për çfarë ankohet klubi holandez. Me një kapacitet prej 21 mijë vendesh Roma dhe Feynoord kanë pasur në dispozicion nga 4000 bileta secila, thuajse 20% të kapacitetit total. Pjesa tjetër është shitur për publikun e përgjithshëm sipas rregulloreve të UEFA-s.

    – A jeni i ndërgjegjshëm për faktin se në Tiranë do të mbërrijë një numër shumë i madh tifozësh të cilët nuk kanë bileta?

    Kjo ndodh gjithmonë në çdo event madhor futbollistik. A mendoni se në Paris për finalen e Champions nuk do të shkojnë tifozë të Real Madrid dhe Liverpool pa bileta? Apo në Sevilje për finalen e Europa League? Dua të them diçka, për ata që nuk do të mund të hyjnë në stadium do të jetë një okazion për të përjetuar atmosferën festive të një finaleje, në një vend që mbase shumë prej tyre nuk e kanë vizituar kurrë më parë.

    – A mund të ketë probleme lidhur me sigurinë?

    Absolutisht jo. Jemi të gatshëm të presim të gjithë ata që duan të vijnë në Tiranë, falë një grupi pune organizativ të ngritur posaçërisht për këtë event. Në Tiranë do të ketë dy “fan zone” të dedikuara për tifozët e Romës dhe Feynoord-it. Për më tepër aeroporti i kryeqytetit dhe porti i Durrësit do të jenë dy pikat e para hyrëse me sisteme kontrolli e mbikëqyrjeje për të shmangur kontaktet mes dy tifozerive.

    – Është një finale që duket se paraqet dhe një mundësi shumë të mirë për biznesin turistik.

    Ky nuk është një argument që hyn në kompetencat e mia. E di që ka pritshmëri të mëdha, por po flasim për një finale europiane. Megjithatë, mund t’ju them që nuk është vetëm Tirana, por edhe në Durrës, që është vetëm 30 minuta larg kryeqytetit, më thonë se do të mblidhen shumë tifozë të Romës.

    – Meqë jemi te Roma dhe Feynoord, ju për kë do të bëni tifo?

    Nga fillimi i kompeticionit kam shpresuar që në finale të vinte Roma. Ne jemi dy popuj shumë të afërt, më lidhin shumë gjëra me Italinë. Më 25 maj do të bëj tifo për Romën.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark