×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Arrestimi i tetë policëve u bë në mënyrë mashtruese, pa bazë ligjore dhe pa të drejtë”

    Insajderi
    07 March 2021 - 00:04

    Të premten tetë zyrtarë policorë u arrestuan nën dyshimin për disa vepra që përfshijnë keqtrajtimit gjatë detyrës zyrtare, lëndim, falsifikim të dokumentit zyrtar, ushtrim ndikimi dhe vepra të tjera.

    Por lidhur me rastin ka reaguar Naim Rudari nga Oda e Avokatëve të Kosovës, i cili përfaqëson njërin nga të arrestuarit.

    Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se është “PASIGURI JURIDIKE,  rasti i arrestimit të tetë zyrtarëve policorë”.

    Rudari tha se arrestimi i tyre u bë në mënyrë mashtruese.

    “Dje me datën 05/03/2021 disa polic u ftuan të paraqiten në punë në ora 06:00 të mëngjesit kinse për një operacion policor, kur ata u paraqitën në stacion u arrestuan ashtu siç ishin të uniformur kinse për disa raste të ndodhura në nëntor dhe dhjetor të vitit 2019. Me rastin e arrestimit të policëve në mënyrë mashtruese, zyrtarisht u tha nga zyrtarët më të lartë të institucioneve kompetente se ata ngarkohen me shumë vepra penale ndër të cilat edhe për veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarje dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike”, tha Rudari.

    Tutje Rudari deklaroi se në seancën dëgjimore në kërkesën për caktimin e paraburgimit asnjëri nga zyrtarët policor nuk ngarkohej me veprën penale lidhur me narkotikë e kryesisht zyrtarët policor janë ngarkuar tani me veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

    “Për ta shtjelluar më mirë përdorim i forcës nga zyrtarët policor për ta vlerësuar a ka pasur tejkalim të përdorimit të forcës apo jo, ndërsa vepra penale e narkotikëve mbeti vetëm në konferencë”, shtoi ai.

    Sipas tij arrestim është i padrejtë dhe pa bazë ligjore e në kundërshtim me nenin 162 të KPPK-së, e pa arsyeshme, e panevojshme dhe e pamoralshme e cila nuk mund të quhet ndryshe veç se pasiguri juridike.

    “Ne paraqitëm vërejtjet tona në gjykatë se, cila ishte arsyeja e atij spektakli që për dyshimet e vitit 2019 kur ishin përdoruar pa aktvendim për fillimin e hetimeve edhe masat e fshehta, të ftohen zyrtarët policor për operacion dhe atyre tu bëhet kurthi i arrestimit”, shkroi tutje.

    “Ndonëse u arrestuan padrejtësisht, ata u ndaluan dhe disa nga ata në mesin e të cilëve edhe njëri që unë e përfaqësoj, u dërguan në paraburgim duke e shtrembëruar edhe më shumë drejtësinë ata që janë për të bërë drejtësi, PA KOMENT”, tha në fund Rudari.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark