Takimet mes ekipeve të forta rivale jo rrallë herë sjellin edhe incidente e fyerje nga ato më të turpshmet nga tifozët e klubeve përkatëse.
I tillë është edhe rasti i tifozit pejan, i cili ngriti tre gjishtrinjtë në gjysmëfinalen e “play off”-it në basketboll ndërmjet KB Pejës dhe KB Trepçës, shkruan Insajderi.
*Tifozi pejan ngriti tre gishtrinjtë që serbët e përdorin me flamurin e tyre kundër shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve.
Lidhur me rastin nga Klubi Basketbollistik “Peja” për Insajderin ka folur, Art Gashi, i cili tha se e dënojnë çdo formë të huliganizmit, duke theksuar se kjo Pejës i kushton minimum 5000 euro dhe se nuk i konvenon aspak.
“Kemi reagu dhe e dënojmë shumë këq, të gjitha format e huliganizmit pa marrë parasysh prej cilit qytet apo ku e ka bë. Mbrëmë e ka bë Mitrovica dhe Peja për të dyjat është shumë keq“
Gashi nënvizoi se në takim ishin të deleguar rreth 200 policë, dhe se ekziston ligji kundër huliganizmit në këtë mënyrë që të dënohen individët e jo klubi.
“Para secilës ndeshje ne e dërgojmë në polici kërkesën për sigurim të ndeshjes, dmth kanë qenë të deleguar 200 policë, më teper se aq klubi i basketbollit Peja nuk mundet me bo. Kena punu me tifoz, ju kemi tregu për dënimet që munden me i marrë. Qikjo Pejës i kushton minimum 5000 euro dënim prej Federatës, 5000 euro janë 100% e të hyrave që janë marrë mbrbëmë prej biletave, kjo neve nuk na konvenon asnjëpikë. Ekziston ligji kundër huliganizmit, shumë lehtë munden me i dënu individat, jo me dënu klubin ose me u cilësu si organizim i keq“
Teksa, para më pak se një orë, në bazë të vendimeve të publikuara nga FBK-ja, Peja u dënua me një shumë prej 7 mijë eurove dhe dy ndeshje pa prezencën e shikuesve. Kurse, pa u ndëshkuar nuk ka mbetur as klubi i basketbollit Trepça, të cilët janë dënuar me një shumë prej 1500 eurove.
Derisa në pyetjen se a do t’i ndalohet hyrja tifozit për jetë hyrja në sallën Karagaçi, Gashi u përgjigj se këtë vendim nuk e merr klubi por prokuroria.
“Është policia nëpër dyer të caktuara, nëse shkon në një vend në botë, në Angli psh, ke bë një problem nuk ta ndal më klubi ta ndal kritika dhe prokurori që je dënu mos me hy. Palestra e sporteve është hapësirë publikë, nuk mundesh me thanë këta persona janë të ftuar këta persona s’janë të ftuar. Mundesh me i caktu vendet ku kanë me u ulë, ku kanë me ndejt, por s’mundesh me kallëzu kush me hy e kush me dalë, pa pas vendim. E vendimin e mer prokuroria.“
Kujtojmë se, në palestrën “Karagaçi” në Pejë, tifozët “Shqiponja” u dëgjuan duke përdorur etnofaulizma, më saktë duke kënduar në kor: “Ju jeni shkije (serbë) në drejtim të tifozëve mitrovicas që ishin prezentë në palestër. Poashtu, takimi në 26 sekondat e fundit, u ndalua pasi një tifoz u fut në parket dhe goditi baskebollistin e Trepçës, çka rezultoi me largimin e të pranishmëve nga salla me vendimin e gjyqtarëve.
Këtë takim, në fund e fitoi Peja me rezultatin 72:66.