×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Asociacioni parakusht i anëtarësimit të Kosovës në KiE? Ambasada gjermane flet për Insajderin

    Insajderi
    19 January 2023 - 15:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjermania nuk e ka kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me formim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, shkruan Insajderi.

    Xhezair Dashi

    Insajderi i është drejtuar Përfaqësisë Permanente të Gjermanisë në Këshill të Evropës të cilët kanë mohuar një gjë të tile; kjo pasi media serbe “Blic” raportoi se kinse “Gjermania i dha ultimatum Prishtinës”, raportim ky i cili në Serbi u pranua për fakt të rkyer.

    Ata pretenduan se qëndrimi gjerman është se “Prishtina mund t’i thotë lamtumirë anëtarësim në KiE nëse nuk e formon Asociacionin”.

    Një gjë e tillë, nuk qëndron, thonë gjermanët.

    “Nuk jemi në dijeni që Gjermani paska vendosur që themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të jetë kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës”, tha Sebastian Leuschner, zëdhënës i ambasadës gjermane në Prishtinë, në një përgjigje për Insajderin.

    Gjermania e mbështet “në mënyrë të paekuivok” anëtarësimin e Kosovës në KiE, tha Leuschner, duke iu referuar deklarimit të kryediplomates gjermane, Analena Barebock në maj të 2022’ës në Turin.

    “Siç e ka thënë publikisht Ministrja e Jashtme e Gjermanisë në fund të takimit të 132’të të Komisionit të Ministrave më 22 maj 2022, që Gjermania e mbështetë në mënyrë të pa ekuivok aplikimin e Kosovës për tu bërë shtet anëtar i Këshillit të Evropës”, tha zëdhënësi.

    Megjithëkëtë, Lechner, ndonëse thotë se Asociacioni nuk është kushtëzim për anëtarësim në KiE, ajo është marrëveshje ndërkombëtare e cila duhet zbatuar.

    “Implementimi i një marrëveshje ndërkombëtare është çështje e sundimit të ligjit dhe rrugë para në Dialog”, tha ai.

    “Siç ka thënë ambasadori Rohde: themelimi i Asociacionit është dakordësim i palëve në kuadër të dialogut në vitet 2013/2015”.

    Prandaj, siç thotë ai, “tash duhet të zbatohet”.

    Por, çfarë pretendoi media serbe, pretendim ky të cilin mediat serbe e raportuan gjerësisht si fakt të kryer?

    “Gjermania ua bëri të ditur në terma jo të paqartë se nëse nuk e formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë mund t’i thonë lamtumirë anëtarësimit në KiE”, pretenduan ata.

    Kujtojmë se Kosova ka aplikuar në Këshill të Evropës në maj të vitit të kaluar po ka dështuar vazhdimisht që të futet në agjenda të ditës.

    Kjo në Kosovë është lexuar për disfatë të politikës së jashtme dhe për moskoordinim me aleatët ndërkombëtar, ndonëse Kosova posedon dy-të-tretat e njohjeve, nëse jo votat, të shteteve anëtare të KiE-së.

    Aplikimi në KiE u bë pas përjashtimit të Federatës Ruse nga kjo organizatë në dritën e agresionit të paligjshëm rus.

    Serbia e konsideron këtë aplikim të paligjshëm në bazë të pretendimeve se në KiE mund të anëtarësohet vetëm një shtet i cili është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Ata madje aplikimin e Kosovës në KiE e morën për shkelje të moratoriumit njëvjeçar të ndërmarrë në kuadër të Marrëveshje së Uashingtonit, ku Kosova do të pezullonte aplikimin e saj në organizata ndërkombëtare derisa Serbia të ndalonte fushatën ndërkombëtare për çnjohje të Kosovës./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark