×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Autori i sulmit në Oslo, i radikalizuari me prejardhje nga Irani

    Insajderi
    25 June 2022 - 19:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dy persona janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë plagosur kur një person hapi zjarr në lagjen e Oslos, të njohur për jetën e natës. Policia ka arrestuar një shtetas norvegjez me prejardhje nga Irani, por ka thënë se motivet ende nuk dihen

    Së paku dy persona janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë plagosur të shtunën kur një person hapi zjarr në lagjen e Oslos, të njohur për jetën e natës. Sulmi ka ndodhur gjatë Festivalit vjetor të Krenarisë. Policia norvegjeze ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar si sulm i mundshëm terrorist.

    Hetuesit kanë thënë se i dyshuari 42-vjeçar, shtetas norvegjez me prejardhje nga Irani, është arrestuar menjëherë pas sulmit. Derisa motivet e sulmit janë ende të paqarta, organizatorët e Festivalit e kanë anuluar paradën që po planifikohej për të shtunën gjatë ditës. Sulmi nisi jashtë London Pub, bar i njohur për komunitetin LGBTQ.

    Autoritetet norvegjeze janë duke e analizuar edhe gjendjen mendore të vrasësit. Shefi i shërbimeve policore, Roger Berg, e ka cilësuar sulmin si “akt terrorist me motive ekstreme islamike” dhe se i dyshuari “për një kohë të gjatë kishte histori të dhunës dhe kërcënimeve.

    Hetuesit kanë thënë se i dyshuari ishte i njohur për policinë dhe për forcat e sigurisë, por jo për krime të rënda. Berg ka thënë se Agjencia e sigurisë në Norvegji ishte në dijeni për të që prej vitit 2015 ,ndërkaq shqetësimet u ngritën kur u radikalizua dhe u bë pjesë e një rrjeti islamik.

    Policia ka deklaruar se është shumë herët për të caktuar nëse vrasësi kishte cak anëtarët e komunitetit të LGBTQ. Me kërkesën e policisë, organizatorët e kanë anuluar paradën, ndërkaq u është kërkuar njerëzve që të qëndrojnë larg vendit të sulmit.

    Benjamin Lau-Henriksen, 15-vjeçar, dhe shoku i tij, Li-Sullivan Koker Bolstad, u larguan nga pubi dy orë para se të ndodhte sulmi. Për shkak të moshës janë larguar shumë para kohe.

    “Sikur të ishim 18-vjeçar, dje do të ndodheshim aty dhe mund të vdisnim”, ka thënë Bolstad. “Dua të them se jam i befasuar, jo për shkak të statusit tonë, sepse jetojmë me frikë se diçka e tillë do të ndodhë”.

    Policia ka bërë të ditur se civilët kanë ndihmuar në arrestimin e të dyshuarit. Shefi policor, Christian Hatlo, ka thënë se i dyshuari është arrestuar nën dyshimet për vrasje, tentativë vrasjeje dhe terrorizëm, për shkak se një numër i madh personash ishin cak i tij në disa lokacione.

    “Vlerësimi ynë është se ai dëshironte të shkaktonte frikë të madhe te njerëzit”, ka thënë Hatlo.

    Gjatë aksionit të policisë janë sekuestruar dy armë, një revole dhe një automatik, të cilat, sipas policisë, nuk ishin moderne.

    Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, ka thënë se ngjarja e së shtunës ishte sulm i tmerrshëm ndaj njerëzve të pafajshëm. Ai ka thënë se ani pse motivet mbeten të paqarta, sulmi ka shkaktuar frikë të madhe te komuniteti LGBTQ. “Qëndrojmë përkrah jush”, ka thënë kryeministri norvegjez.

    Norvegjia është shtet relativisht i sigurt, mirëpo në vitet e fundit është tronditur nga sulme të organizuara nga ekstremistët e krahut të djathtë. Gjatë vitit 2011, 69 persona u vranë në ishullin norvegjez të Utoyas, ndërkaq tetë të tjerë nga sulmi me bombë në qendër të Oslos.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark