Deputeti i “Guxo”, Haxhi Avdyli, ka komentuar largimin e Doarsa Kicës, nga partia e tyre dhe zyrtarizimin e aderimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Avdyli, duke e quajtur “motër”, Doarsa Kicën tha se me largimin e saj ajo e kafshoi dorën e Vjosa Osmanit dhe partisë Guxo.
“Kjo “motra” jonë i kafshoi dorën e Vjosa Osmanit e partisë Guxo, nga e cila u ushqye e u rrit (politikisht). Pardje e nisi rrugëtimin politik diku tjetër duke përqeshë Rugovizmin e LDK-së e Guxo-s e pa kurrfarë lidhshmërie emocionale me konceptet e tyre, tani mbetet çështje kohe kur ka me ik edhe nga aty, ose do mësohet për të duruar goditjet e këpucave e brrylave”, ka shkruar Avdyli.
Nuk është ndalur me kaq Avdyli ka vazhduar sulmet ndaj deputetes Kica, duke e quajtur sabotuese të reformës.
“Të jesh kryetare e Komisionit parlamentar për administratë, e anëtare i komisionit për ligjet, të kesh tërë hapësirën në grup parlamentar e në foltore, të kesh tërë respektin e ndihmën e 67 deputetëve të shumicës, të kesh 7 ditë në javë dyert e hapura që të diskutosh me Presidenten e Kryeministrin dhe të thuash po iki për të shkuar në një parti të vogël opozitare për ta bërë atë reformë, më së paku mund të quhet tentim për sabotim të kësaj reforme”, ka shkruar ai.