×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Avokati Huruglica: Iljasa Fazliu ka shpreh keqardhje të thellë për abuzimin ndaj 3 vjeçares, ka qenë e momentit

    Insajderi
    28 November 2022 - 12:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Logopedi nga Gjilani, Iljasa Fazliu që u arrestua nën dyshimet për abuzim me vajzën 3 vjeçare me autizëm në ordinancën e saj ka shprehur keqardhje për rastin e ndodhur. Sipas avokatit të tij, Donat Huruglica, klienti i tij është duke u përballur me probleme shëndetësore dhe ndihet fajtor për veprimin që ka bërë ndaj vajzës 3 vjeçare.

    Avokati Huruglica për Gazetën Insajderi tha se logopedi e ka kuptuar ndjeshmërinë e prindërve.

    “Ka shpreh keqardhje të thellë për shprehjet që i ka përdor. Ai e ka kuptu edhe ndjeshmërinë e prindërve dhe të gjitha”- tha ai.

    Derisa, shton se veprimi i të mbrojturit të tij ka qenë i momentit.

    “Ka qenë e momentit, nuk ka dashtë me ndodh por ka qenë lëshim i tij”, tha më tej Huruglica.

    Ndryshe, Fazliu do të duhej që sot të dilte para gjykatësit të procedurës paraprake. Por i njëjti siç merr vesh Insajderi për shkak te problemeve shëndetësore ka kërkuar ndihmë në Spitalin e Gjilanit, ku edhe u vazhdua seanca dëgjimore.

    Gazeta Insajderi, merr vesh se në seancë nuk është paraqitur Iliasa Fazliu pasi që nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Por sipas avokatit të dajës së vajzës 3 vjeçare, Arbër Spahiu gjykatësi i procedurës paraprake ka vendosur që seanca dëgjimore të mbahet në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, aty ku po trajtohet Fazliu, shkruan Insajderi.

    Sipas Spahiut, vendimi për masën e sigurisë pritet të merret pasdite.

    Përveç Fazliut, policia kishte arrestuar edhe babain dhe dajën e vajzës 3 vjeçare, pasi të njëjtit e kishin sulmuar fizikisht logopedin, kur kanë dëgjuar trajtimin e tmerrshëm që i ishte bërë asaj, gjatë seancës së pestë të trajtimit që po merrte ajo.

    Tre të arrestuarit ishin ndaluar për 48 orë, ndërsa sot pritet të marret vendimi për masën e sigurisë ndaj tyre.

    Avokati Spahiu ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e paraburgimit të klientit të tij që është edhe daja i vajzës 3 vjeçare.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark