Avni Dehari, babai aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, është shprehur i pakënaqur me veprimet e organeve të shtetit për raste të ndryshme, duke thënë se nuk po veprohet njësoj.
Ai ka pyetur se pse nuk u shkarkuar zyrtarët e burgut menjëherë pas vdekjes së djalit të tij, Astritit, kurse në rastin e vjedhjes në shtëpinë e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, mënjëherë janë suspenduar zyrtarët policorë.
Po ashtu, ai ka shprehur indinjatën e tij ndaj deklaratës së ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, se nuk ka çka të bëjë më shumë rreth rastit të Astrit Deharit, pas refuzimit për hetim të pavarur nga policia britanike.
“Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, del dhe thotë se nuk kam çka të bëjë më shumë pas refuzimit të britanikëve për ta hetuar rastin. Pyetëni atë nëse nuk është e aftë të dijë se ç’duhet bërë”, ka thënë ai pas përfundimit të marshit protestues për vdekjen e djalit të tij që u mbajt në Prishtinë.
Për më tepër, në këtë marsh protestues është kërkuar dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe atij të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.
Gjithashtu, ka nisur iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për Astrit Deharin.
Lëvizja Vetëvendosje kishte dy herë t’i mbledhë 40 nënshkrimet e deputetëve për ta iniciuar seancën e jashtëzakonshme për rastin Dehari./Insajderi.com