×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Bajraktari e kundërshtoi në Gjykatë veçimin e procedurës për Goranin në rastin “Stenta 2”

    Insajderi
    01 February 2023 - 22:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    I akuzuari Gani Bajraktari, në seancën e së mërkurës në rastin e njohur si “Stenta 2” deklaroi se ndjehet i zhgënjyer me sistemin e drejtësisë.

    “Kjo është padrejtësi, ne jemi ardhë te Pallati i Drejtësisë, na menojna që ka drejtësi, po na po konstatojmë që s’ka drejtësi”, ka thënë i akuzuari Bajraktari.

    I akuzuari Bajraktari ka shprehur pakënaqësi lidhur me aktakuzën ndaj tij, duke thënë se procesi kishte filluar pas një hetimi të madh, ndërsa tha se ishte ‘merak’ i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, për ta burgosur.

    “Qata 12 veta që ia kanë veçu lëndën, ata s’janë asnjë, po më vjen keq se kolegë i kam, miq, po aty i ka mbet zhig shumë i madh Besim Kelmendit me më burgos, fort zhig i madh”, tha ai.

    Në këtë seancë, mungoi i akuzuari Daut Gorani, për të cilin gjykatësja Suzana Çerkini tha se i njëjti e ka njoftuar gjykatën me parashtresë se nuk mund të jetë prezent në seancë, për shkak të disa problemeve shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndërsa, shtoi se për të akuzuarin R.E, mbrojtësja e tij ka njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë, por që gjykata ende nuk është pajisur me certifikatën e vdekjes.

    Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, ajo u ndërpre, ndërsa të radhës pritet të mbahen më 22 shkurt si dhe 14, 15 dhe 16 mars 2023.

    Si mundësi për vazhdimin e seancës është parë veçimi i procedurës për të akuzuarin Gorani, mirëpo i akuzuari Gani Bajraktari ishte në kundërshtim me një gjë të tillë.

    “Sa i përket veçimit të lëndës, unë e kam arsyen ma të madhe me ma veçu lëndën, po s’kam bo kërkesë kurrë, unë jam kryetari i Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës, unë sot është dashtë me qenë në Nicë, krejt kryetarët e Shoqatave sot janë në Nicë, përveç të Kosovës, dhe na mbesim prapa si Kardiologji që nuk jam aty dhe nëse dikujt i ndahet lënda, të lutem veçoma edhe mu”, ka thënë i akuzuari Bajraktari.

    Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri.

    Kurse, për të akuzuarin S.Gj. ka pushuar procedura penale, pasi i njëjti ka ndërruar jetë.

    Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 38 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, R.E, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark