×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Banka Raiffeisen rrit normën e interesit dy herë brenda 5 muajve, ankohen klientët

    Insajderi
    07 February 2023 - 09:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Më 8 shtator të vitit të kaluar 2022 e mori njoftimin se norma e interesit për asetin e financuar me Lizing do t`i ngritet.

    Klientit kosovar që i ndodhi kjo e që dëshiron të mbetet anonim, Banka Raiffeisen ia dha një arsye.

    “Ndyshimi vjen si pasojë e rritjes së normës së Euribor-it në tregun evropian”, thuhej në njoftimin që banka i kishte dërguar atij.

    Ky klient ka bërë të ditur se deri në gusht të vitit të kaluar këstin mujor të kredisë e ka pasur 162.79 €, përderisa një muaj më pas (shtator) i njëjti i është ngritur në 191.70 €, apo rreth 20% më shumë. Tashmë, sipas tij, nuk dihet se sa do t’i rritet edhe më tej kësti.

    Ai kërkon ndërhyrjen e BQK-së, si rregullator, në mënyrë që, siç thotë, mos të lejohen keqpërdorime të situatatave nga bankat komerciale në Kosovë.

    “BQK-ja duhet të ndërhyjë se na rrjepën bankat”, shprehet ai.

    Në atë kohë është fakt që Banka Qendrore Evropiane, për herë të parë pas 11 vjetësh, vendosi t’i rrisë normat e interesit, në përpjekjeje për të kontrolluar rritjen e inflacionit në Eurozonë.

    Siç bënte të ditur ky institucion më 21 korrik 2022, aktualisht janë rritur normat kyçe të interesit për 0.5 për qind në 0.0 për qind.

    Vendimi i Bankës Qendrore Evropiane rriti edhe të ashtuquajturën normë Euribor.

    Euribor është normë mesatare e interesit, në bazë të së cilës bankat evropiane marrin fonde hua nga njëra-tjetra.

    Megjithatë pa kaluar pesë muaj mirë, klientit të njëjtë i erdhi prapë një mesazh nga Banka Raiffeisen në Kosovë.

    Ky u njoftua të hënën e 6 shkurtit 2023 se norma e interesit për asetin e financuar me Lizing do t`i ngritet prapë.

    Arsyeja mbeti ajo e vjetra.

    “Ndyshimi vjen si pasojë e rritjes së normës së Euribor-it në tregun evropian”, thuhej në njoftimin e dytë brenda pak muajsh që banka i kishte dërguar atij.

    Front Online ka pyetur Bankën Qendore të Kosovës nëse ka gjetur ndonjë parregullsi lidhur me ngritjen e normave të interesit dhe arsyen se pse po ndodh kjo, megjithatë s`ka marrë përgjigje.

    Pyetjeve nuk i janë përgjigjur të hënën as nga vetë Banka Raiffeisen në Kosovë.

    Megjithatë para pak ditësh Banka Qendrore Evropiane rriti normën bazë të interesit për të katërtën herë që nga korriku i kaluar, në 2.5 për qind.

    Herën e fundit që Euribori gjashtëmujor ishte mbi tre për qind, ishte në fund të dhjetorit 2008, kur bota ishte në mes të një krize financiare globale. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark