19:09 - 26 Maj 2023

Bashkimi Evropian ka dënuar ashpër përleshjet mes policisë së Kosovës dhe demonstruesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur për të hyrë në ndërtesat komunale, ka bërë të ditur zëdhënësi i Shërbimit Evropian për Politikë të Jashtme.


“Ne shprehim keqardhje të madhe për sulmin ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-i duhet të lejohet të kryejë mandatin e tij në mënyrë paqësore. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe menjëherë të rivendosin qetësinë. BE-ja nuk do pranoni veprime të mëtejshme të njëanshme ose provokative. Ruajtja e paqes dhe sigurisë në terren duhet të jetë prioritet”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu u tha se BE-ja vazhdimisht thekson se zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat në të cilat janë mbajtur.

“Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu të mirëfilltë ndërmjet të gjithë aktorëve kryesorë, të cilët përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – me ndihmën e BE-së”, thuhet në deklaratë.