×
  • Lajme
  • Insajderi

    Bashkimi Evropian forcon pozicionin kundër sovranitetit të Kosovës

    Insajderi
    14 October 2021 - 15:57

    Dy përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian kanë përforcuar pozicionet e tyre karshi sovranitetit të Kosovës, duke e quajtur aksionin e djeshëm të Njësisë Speciale të Kosovës në Veri si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar me ndërkombëtarët, shkruan Gazeta Insajderi.

    Policia dhe Dogana e Kosovës dje gjatë ditës zhvilloi një aksion kundër kontrabandës së mallrave, aksion ky që u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Veriut.

    Qytetarët në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan kundërshtuan aksionin e policisë duke protestuar e vendosur barrikada. Nga kjo protestë u lënduan dhjetë policë kosovar.

    Pas përfundimit të aksionit, filluan reagimet e faktorit ndërkombëtar lidhur me trazirat në veri të Kosovës.

    Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i quajti të papranueshme dhe të njëanshme veprimet e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në Veri.

    Borrell tha se incidentet e dhunshme në veri duhet të ndalen menjëherë.

    “Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, shkroi Borrell në Twitter.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se Kosova nuk kishte koordinim me ndërkombëtarët për veprimet e Policisë në Veri.

     “Ajo që ndodhi dje është rezultat i disa veprimeve të caktuara të cilat nuk ishin të koordinuara”, tha Stano

    Sipas Stano-s, Veriu është specifik dhe autoritet Kosovare duhet të kenë koordinim të afërt me KFOR-in kur vendosin të bëjë diçka në këtë pjesë

    “Konteksti i asaj që po ndodhë në veri të Kosovës është i lidhur me çështjen më të gjerë mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëhet fjalë për koordinim nëse njëra palë vendosë të bëjë diçka në një pjesë me atribute specifike siç është veriu i Kosovës, praktika e zakonshme është të ketë koordinim të afërt me komunitetin ndërkombëtar, me KFOR-in dhe me kolegët nga ana tjetër”, deklaroi Stano.

    Por, Aleanca Veri-Atlantike (NATO), tha se aksioni i Policisë së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave ishte veprim për vendosjen e ligjit dhe se ishin në komunikim me autoritetet relevante kosovare, shkruan Insajderi.

    “Policia e Kosovës është duke kryer një operacion të zbatimit të ligjit përgjatë Kosovës. Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja është në komunikim të pandërprerë me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhej në përgjigjen e Nato-s për Rel.

    Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, tha të mërkurën se aksioni i Policisë është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal dhe se ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti.

    “Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra në mënyrë ilegale në Kosovë. Prokurorja e rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica serbë, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë”, ka thënë Sveçla.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark