16:52 - 21 Prill 2021

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, po vazhdon të jetë shumë aktive me intervista të ndryshme.

Ajo është duke promovuar albumin e saj më të ri në ardhje, “Better Mistakes”, i cili do të publikohet i plotë më 7 maj.

Në rubrikën “AskAnythingChat”, 30-vjeçarja së fundmi pati mundësinë që t’iu përgjigjet disa prej pyetjeve që fansat e saj i kishin parashtruar për të në rrjetet sociale.

Dhe një ndër ta pyeti me kureshtje, se a do të mund t’i shohim në një të ardhme në bashkëpunim atë, Duan dhe Ava Max.

“Çdo gjë është e mundur, dhe do të thoja ‘Po’, do të përpiqem të ndodhë. Unë mendoj se do të ishte e mrekullueshme sikur vajzat të bëheshin bashkë, sepse ju e dini që ne vijmë nga i njëjti vend, ku ashtu siç kemi folur më herët, në të kaluarën, vajzat nuk ishin gjithmonë në muzikë në kulturën tonë, tani është komplet ndryshe dhe ju e dini që unë e dua kulturën time shumë, por unë jam rritur në gjysmë kulturën time, kështu që mund të flas në gjysmën e tyre”, ka thënë ajo.

Tutje, Rexha ka treguar se një bashkëpunim i tillë mes shqiptareve do të motivonte të gjitha femrat tjera shqiptare dhe kosovare, që ato kanë fuqi të arrijnë në jetë.

“Ju e dini, ne femrat nuk kemi qenë gjithmonë të barabarta si meshkujt dhe mendoj se fakti se ne të gjitha vijmë nga një kulturë e ngjashme është vërtet e bukur dhe mendoj se do të ishte e mrekullueshme për neve të vinim së bashku dhe të kapnim duart dhe të bëheshim si të gjitha vajzat tjera shqiptare ose kosovare atje, do të ishim si: ‘Ju mundeni, ju mund ta bëni këtë, ju mund t’i bëni ëndrrat e tua realitet, ti e ke këtë dhe çdo vajzë në botë – nuk ka rëndësi nga je, kështu që do të doja ta bëja këtë të ndodhte”, ka theksuar Bebe Rexha.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin në fillim të këtij viti, artistja tjetër shqiptare me famë botërore, Ava Max, ishte shprehur se me kënaqësi do ta pranonte një bashkëpunim me Duan, Ritën dhe Bebe Rexhën.

“Një bashkëpunim me të gjitha ne femrat nga Shqipëria do të ishte një ëndërr absolute. Kur Bebe Rexha më ftoi për një bashkëpunim unë isha gati të kuptoj diçka! Ne në fakt jemi bërë miq dhe kemi qëndruar afër që nga ajo ftesë. Le të shohim se çfarë na pret në të ardhmen sa i përket një kënge nga të gjitha ne – Unë ju thashë se ka shumë muzikë të re që do të vij në vitin 2021”, kishte thënë Ava Max.