×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Begaj: Shqipëria do të jetë zëri i Kosovës sa herë të jetë e nevojshme

    Insajderi
    28 November 2022 - 12:07

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe do të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme.

    Në ceremoninë e festimit të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, Begaj tha se kombin shqiptar i bashkon aspiratat euro-atlantike.

    “Kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe NATO. Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj euro-atlantik”, theksoi Begaj.

    Ai theksoi se Shqipëria ka detyrim fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon.

    “Përgjegjësitë e Shqipërisë janë edhe më të mëdha se kaq. Ne kemi detyrim për fuqizim të faktorit shqiptar në rajon. Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kushtuese dhe kombëtare. Me ata nuk na bashkon vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e Integrimit evropian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë”, tha ai.

    Para krerëve institucional të Kosovës, presidenti shqiptar tha se pavarësia e Shqipërisë mbetet veprën e madhe e kombit shqiptar.

    “Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, e brezave dhe patriotëve të panumërt, që me përgjegjësi historike, në ditët e rrezikut të madh, jetësuan vullnetin shekullor të popullit, me shumë guxim dhe largpamësi”, shtoi ai.

    Në ceremoninë e festimit të 110-vjetorit të pavarësisë në Vlorë, ishin edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti. Pas përfundimit të ceremonisë, liderët shqiptarë vizituan muzeun në Vlorë dhe pinë kafe së bashku.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark